Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës janë kthyer përsëri sot në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Këtë zhvillim të tyre janë duke e përcjellë nga afër edhe zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Dy partitë opozitare janë duke u mbledhur në Kuvend prej javësh, pasi ende nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës, ndonëse ka kaluar afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nga foltorja e Kuvendit, tha se Kosova është marrë peng nga deputeti Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët po luajnë me fatin e vendit dhe durimin e qytetarëve.
“Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet”, shtoi Musliu.
“Mos luani me demokracinë, mos luani me Kushtetutën. Ejani në Kuvend dhe t’i japim fund kësaj situate, sepse e keni kthyer Kosovën në një vend pa institucione, pa ligj e pa Kushtetute”, tha ajo.
Partia Demokratike e Kosovës përsëri do t’i drejtohet kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve.
Lidhur me këtë, dje PDK ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare.