Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka paralajmëruar se përçarjet politike në Kosovë mund të thellohen edhe më shumë nëse partitë nuk arrijnë të bashkohen për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker u ka bërë thirrje liderëve politikë që të lënë mënjanë dallimet partiake dhe të gjejnë një marrëveshje për presidentin, duke vlerësuar se kjo do të mund ta bashkonte vendin.
“Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit. Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar”, ka thënë Walker për Radion Evropa e Lirë.
Walker ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja, në rast të dështimit për zgjedhjen e presidentit, nuk do të ishin zgjidhje.
“Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara”, ka deklaruar ai.
Ish-diplomati amerikan ka propozuar Faton Bislimin për president të Kosovës, duke thënë se ai ka aftësitë dhe personalitetin e nevojshëm për një post që, sipas tij, duhet të jetë mbi ndarjet partiake.
Walker ka vlerësuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet për partitë politike, pasi Kosova nuk ka nevojë për “edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni”.
“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti”, ka thënë Walker.
Bisedimet për zgjedhjen e presidentit po zhvillohen mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Pas takimit të 26 gushtit, ata thanë se kanë diskutuar edhe për emra konkretë, por nuk i bënë publikë.