Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se ka informacione lidhur me vendimin që Gjykata Speciale pritet ta marrë për ish-presidentin e Kosovës dhe ish-udhëheqësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi.
Vuçiq ka deklaruar se, sipas informacioneve që ka marrë, vendimi ndaj Thaçit do të jetë “kryesisht lirues”.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale pritet të shpallë vendimin në rastin ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Do ta dënojnë aq sa t’i mbulohet koha e kaluar në paraburgim, ndërsa për pjesën tjetër do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë Vuçiq të premten, sipas mediave serbe.
Ai ka pretenduar se vendimi do të shërbejë për të krijuar narrativën se serbët janë “fajtorët e vetëm” për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
“Sipas asaj që kam mësuar, do ta dënojnë aq sa t’i mbulohet koha e kaluar në paraburgim, ndërsa për pjesën tjetër do të shpallet i pafajshëm. Perëndimorët duan të na thonë: ‘Ju serbët jeni fajtorët e vetëm’”, ka deklaruar Vuçiq.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Prokuroria e Specializuar ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre.