Në seancën dëgjimore për arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, Gjykata aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie që dy të akuzuarit e kanë arritur me Prokurorinë Speciale. Pas arritjes së marrëveshjes, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, të akuzuar lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit. Radosavljeviq u dënua me 9 muaj burgim, kurse Dobrac me 1 vit burgim.
Fillimisht, prokurori Admir Shala tha se qëndrojnë pranë marrëveshjeve të lidhura me dy të akuzuarit dhe kërkojnë nga Gjykata që t’i aprovojë pasi janë lidhur me vullnet të lirë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Radosavljeviq, avokati Mahmut Halimi tha se qëndrojnë pranë marrëveshjes për pranim fajësie, e cila është lidhur pas konsultimit me të mbrojturin e tij, i cili i ka kuptuar të gjitha pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dushan Dobrac, avokati Boban Petkoviq tha se pajtohen me marrëveshjen për pranim fajësie, e cila është arritur pa kurrfarë presioni.
I akuzuari Radosavljeviq tha se mbetet pranë marrëveshjes së arritur dhe e mbështet deklarimin e avokatit të tij.
“Marrëveshjen e kam lidhur me vullnet të plotë pa kurrfarë nxitje apo presioni. Jam i vetëdijshëm plotësisht për pasojat e pranimit të fajësisë”, tha i akuzuari.
Edhe i akuzuari Dushan Dorac tha se mbetet pranë marrëveshjes dhe se atë e arriti me vullnet të plotë. Tha se mbështet fjalën e avokatit të tij.
Avokati Halimi kërkoi nga Gjykata që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të ketë parasysh faktet të cilat lidhen me të mbrojturin e tij. Tha se i akuzuari është baba i katër fëmijëve, i papunësuar dhe mbijeton me profesionin e kamarierit ku thirret periodikisht nga disa restorante.
“Në kuadër të të gjitha këtyre, ju drejtohem me respekt që dënimi i përfshirë në marrëveshjen për pranim të fajësisë prej 6 muaj, të shndërrohet në dënim me të holla, në mundësinë që të paguhet me këste për shkak të gjendjes ekonomike jo të mirë”, tha Halimi.
I akuzuari Radosavljeviq tha se pajtohet me avokatin Halimi dhe se pendohet për veprimet e tij.
“Pajtohem me mbrojtësin tim, pendohem për ato që kam bërë, megjithëse kam qenë i detyruar. Jetoj në kushte të mesme ekonomike”, tha i akuzuari.
Në anën tjetër, avokati Petkoviq tha se i mbrojturi i tij Dobrac qysh nga fillimi ka shfaqur pendim për veprat që i vihen në barrë, e të cilën gjë e ka dëshmuar edhe në këtë seancë dhe shihet edhe nga marrëveshja për pranim fajësie.
“Duke pasur parasysh faktin që edhe është njeri familjar, baba i fëmijëve të mitur, i papunë. E lusim Gjykatën që dënimin me burgim t’ia zëvendësojë me dënim me jgobë, duke pasur parasysh faktin se është i papunë, t’ia mundësojë të mbrojturit tim që dënimin ta paguajë me këste”, tha Petkoviq.
Edhe Dobrac u shpreh i penduar për veprimet e tij.
“Shpreh pendimin për atë që ka ndodhur. Dua të shtoj se jam njeri familjar dhe pajtohem me të gjitha ato që i deklaroi avokati”, tha i akuzuari Dobrac.
Më pas, gjyqtari Beqiri tha se të akuzuarit marrëveshjet i kanë arritur pas konsultimit me avokatët e tyre, pa nxitje apo shtrëngim. Andaj, Gjykata aprovoi marrëveshjet për pranim fajësie.
Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, të akuzuar lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit. Radosavljeviq u dënua me 9 muaj burgim, kurse Dobrac me 1 vit burgim.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri.
Për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”, i akuzuari Radosavljeviq u shpall fajtor dhe u dënua me 9 muaj burgim.
Kurse, i akuzuari Dobrac u shpall fajtor për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Për veprën e parë, u dënua me 6 muaj burgim, kurse për të dytën u dënua me 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shqiptoi dënim unik me 12 muaj burgim.
Dënimi ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Kërkesë pasurore-juridike, gjykatësi tha se nuk ka. Ndërkaq, u urdhëruan të akuzuarit që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës dhe atë nga 200 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. /BpD/.