Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj F.B., nën dyshimin se ka vrarë nënën e tij në Restelicë të Dragashit.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 20 janar 2026, pas një fjalosjeje ndërmjet të pandehurit dhe nënës së tij, T.B.
Prokuroria pretendon se F.B. e ka sulmuar fizikisht nënën, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima ka pësuar shok traumatik dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.
“Më pas, i pandehuri trupin e viktimës e ka vendosur në divan dhe e ka mbuluar me batanije, ndërsa trupi është zbuluar nga të afërmit, të cilët kishin shkuar në shtëpi të shqetësuar për gjendjen e saj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se F.B. i është nënshtruar ekzaminimit psikiatrik dhe psikologjik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Nga ekzaminimi ka rezultuar se në momentin e kryerjes së veprës penale, aftësia e tij për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet ka qenë e zvogëluar në shkallë joesenciale.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.