Partia Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka dekretuar Rashit Qalajn si anëtar të KQZ-së nga radhët e PDK-së, por nuk ka dekretuar edhe anëtarin e dytë që, sipas kësaj partie, i takon në KQZ.

Hamza ka thënë se PDK-ja do ta referojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke insistuar se partisë së tij i takojnë dy anëtarë në KQZ.

Reklamë

“Nëse e ka shkel dikush Kushtetutën, e ka shkelë ai që e ka shkelë. Anëtari ynë s’ka bë asnjë shkelje. Ne, përkundrazi, neve na takojnë dy anëtarë në KQZ dhe për këtë punë do ta referojmë rastin në Gjykatë Kushtetuese për mos-dekretimin edhe të anëtarit të dytë nga radhët e PDK-së”, tha Hamza për KosovaPress.

Ndërkohë, Hamza ka folur edhe për pjesëmarrjen e PDK-së në Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë nga platforma “Liria ka Emër”.

Ai ka konfirmuar se PDK-ja do të jetë e pranishme në shesh për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“PDK është në mbështetje të platformës ‘Liria ka Emër’ që e organizon marshin më 12 shtator dhe kur themi se jemi në mbështetje, sigurisht që ne do të jemi prezent në shesh për të kërkuar drejtësi dhe besojmë në drejtësi. Siç besojmë në drejtësi, besojmë edhe në pafajësinë e të gjithë liderëve tanë. Data po afrohet dhe pres që Kosova të festojë më datën 16 shtator”, tha Hamza.

Vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë pritet të shpallet më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00

Reklamë