Marrëveshja e arritur sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës ka sjellë reagime të ndryshme brenda skenës politike, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo marrëveshje do të mund të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë njoftuar se pas disa javësh diskutime janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president. Abdixhiku ka thënë se takimet mes dy partive kanë nisur më 9 korrik dhe kanë qenë të fokusuara në gjetjen e një zgjidhjeje për stabilitetin institucional.
Sipas tij, diskutimet kanë qenë të gjata dhe intensive, ndërsa pas shqyrtimit të disa emrave është arritur pajtimi për Sejdiun.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sejdiu, i cili ishte i pranishëm në konferencë, ka thënë se është i nderuar nga besimi që i kanë dhënë të dyja partitë dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës.
“Dy partitë [VV-LDK] kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial. Kjo gjithsesi më bën të ndjehem i nderuar”, ka deklaruar Sejdiu, duke falënderuar Kurtin dhe Abdixhikun.
Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që bart posti i presidentit, veçanërisht në rrethanat aktuale politike.
“Më bën të nderuar besimi që të dyja partitë më kanë dhënë, është nder i madh. Duke qenë i vetëdijshëm për barrën e përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual politik, jam vu në shërbim të Republikës dhe qytetarëve tanë që të shërbej me devotshmëri”, ka thënë ai.
Sejdiu ka bërë të ditur se nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se procesi politik u takon subjekteve politike, ndërsa procedura për zgjedhjen e presidentit zhvillohet në Kuvend.
“Procesi politik zhvillohet nga subjektet politike, ndërsa procedura kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dihet”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka thënë se motivi kryesor për ta pranuar kandidaturën ka qenë dëshira për t’i shërbyer vendit.
“Motivi im i parë ka qenë që të vihem në shërbim të Republikës së Kosovës”, është shprehur Sejdiu.
Në fund, ai ka shprehur shpresën se vendi do të gjejë rrugëdalje nga situata aktuale politike.
“Shpresoj dhe besoj që Kosova do të gjejë rrugë për të ecur përpara, për t’u përballur me sfidat e mëdha që na presin”, ka thënë Sejdiu.
Por, përkrahja e dy partive nuk e mbyll çështjen e votave në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se LVV-ja dhe LDK-ja matematikisht i kanë numrat për ta kaluar kandidaturën, por ka vënë në pikëpyetje nëse të gjithë deputetët e tyre do të jenë të pranishëm dhe do të votojnë.
“Nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve”, ka thënë Hamza.
PDK-ja, sipas Hamzës, nuk do të bëhet pjesë e marrëveshjes për krijimin e institucioneve. Ai ka bërë të qartë edhe se nuk pret ndonjë “rrjedhje” votash nga Grupi Parlamentar i PDK-së për Sejdiun, duke thënë se deputetët e kësaj partie janë unikë në qëndrimin e tyre.
Në anën tjetër, Aleanca ka mbajtur po ashtu qëndrim kundërshtues ndaj marrëveshjes. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Avni Arifi, ka deklaruar se partia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe se nuk është pjesë e asaj që e ka quajtur “projekt Kurti-Abdixhiku”.
“Ne nuk jemi pjesë e projektit Kurti-Abdixhiku. U takon atyre të sqarojnë. Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur para tre muajsh. Për ne asgjë nuk ka ndryshuar”, ka deklaruar Arifi.
Një tjetër zhvillim që e komplikon situatën është qëndrimi i deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti. Ai ka bërë të ditur publikisht se nuk do ta mbështesë kandidaturën e Sejdiut, duke e arsyetuar vendimin me parime politike dhe institucionale.
Hoti ka thënë se presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake.
“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, kandidatura e Sejdiut nuk e përmbush kriterin e një figure unifikuese dhe ka kritikuar mënyrën se si është arritur marrëveshja mes dy partive.