Aleanca ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve të Degëve, ku janë trajtuar çështje të organizimit të brendshëm dhe aktivitetit politik.

Në mbledhje është diskutuar edhe për situatën politike dhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Aleanca ka thënë se qëllimi i atyre që aktualisht janë në pushtet është që vendi të dërgohet në zgjedhje të reja.

Reklamë

“Aleanca e ka bërë të qartë se qëllimi i njerëzve që sot po e mbajnë pushtetin ilegalisht është çuarja e vendit në zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Aleancës.

Sipas saj, zhvillimet e deritanishme përputhen me atë që kjo parti ka deklaruar vazhdimisht, duke përmendur fajësimin e partive të tjera dhe caktimin e datës së zgjedhjeve në një afat që, sipas Aleancës, u konvenon atyre.

“Ajo që kemi parë deri tani përputhet me atë që kemi thënë vazhdimisht, fajësimi i partive të tjera dhe caktimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve në datën që u konvenon atyre”, thuhet në reagim.

Aleanca ka kritikuar pushtetin edhe për çështjen e energjisë, importet nga Serbia dhe gjendjen e ekonomisë vendore.

“Pushteti që e lë vendin pa energji dhe në mëshirën e mafias energjetike, që energjinë e sjell prej Serbisë. Pushteti që blen edhe barna, gur e zall prej Serbisë. Pushteti që i dënon bizneset vendore dhe shkatërron ekonominë e vendit”, thuhet në reagim.

Reklamë

Në fund, Aleanca e ka akuzuar pushtetin për përçarjen e qytetarëve, duke thënë se një qeverisje e tillë nuk meriton të udhëheqë me vendin.

“Pushteti që krejt çka arrin të bëjë është t’i përçajë qytetarët e vendit, nuk meriton të qeverisë me jetën e qytetarëve”, përfundon reagimi.