Marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Bekim Sejdiut President, vetëm një ditë pas arritjes ka hasur në probleme serioze për zbatimin e saj.

Përveç kundërshtimit të PDK-së dhe kushteve të Aleancës, gjashtë deputetë të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Sejdiun, duke vënë kështu në pikëpyetje numrat që do të nevojiteshin për zgjedhjen e tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Vetë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka pranuar se situata ka ndryshuar, ndonëse insiston se marrëveshja me LDK-në vazhdon të jetë në fuqi.

Reklamë

“Marrëveshja politike ekziston, është marrëveshje LDK-Vetëvendosje, por emrin e Bekim Sejdiut si president të ardhshëm nuk e kemi mbështetjen e mjaftueshme”, ka deklaruar Kurti.

Vetëvendosje dhe LDK-ja u pajtuan që profesori universitar dhe ish-diplomati Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për President, siç thonë ata në një përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional dhe për ta shmangur një tjetër proces zgjedhor.

Por marrëveshja u përball menjëherë me kundërshtime nga brenda LDK-së.

Gjashtë deputetët që kanë dalë kundër janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.

Ata kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, pavarësisht vendimit të Kryesisë së LDK-së.

Reklamë

Kryesia e partisë e ka mbështetur kandidaturën e Sejdiut, ndërsa gjashtë deputetët kundërshtues kanë thënë se vota e tyre nuk është deleguar dhe se askush nuk mund të vendosë në emër të tyre.

Deputetja Hykmete Bajrami ka qenë ndër më të qartat në këtë qëndrim.

“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja”, ka deklaruar ajo.

Sipas Bajramit, votat që kanë marrë deputetët nga qytetarët nuk mund të përdoren për t’i zgjatur pushtetin Albin Kurtit.

Reklamë

Në anën tjetër, nga LDK-ja është thënë se kryetari Lumir Abdixhiku dhe ekipi negociator kanë pasur autorizime të plota për negociatat, përfshirë edhe diskutimin e emrave për President.

Kështu, përplasja nuk është më vetëm rreth Bekim Sejdiut. Ajo është kthyer në një debat për vendimin e organeve të partisë dhe të drejtën e deputetëve për të vepruar sipas bindjeve të tyre.

Kurti: Marrëveshja qëndron, por situata ka ndryshuar

Kurti ka insistuar se marrëveshja me LDK-në nuk është prishur.

Reklamë

“Kemi marrëveshje. Marrëveshja politike është e vlefshme, por kemi një situatë të re të cilën tash duhet ta adresojmë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka pranuar se nuk mund të vazhdojë me hapa të rinj pa u konsultuar sërish me strukturat e partisë.

“Duhet të ritakohem edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por edhe me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse situata ka ndryshuar”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se nuk mund të ndërmarrë hapa të tjerë pa marrë një mandat të ri nga Kryesia e VV-së.

Reklamë

Abdixhiku: Vendimi i Kryesisë duhet respektuar

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka bërë të qartë se për të çështja lidhet me respektimin e vendimeve të organeve të partisë.

Abdixhiku ka thënë se gjashtë deputetët nuk po e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së dhe se me qëndrimin e tyre po rrezikojnë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja.

Sipas tij, ata “po shtyjnë agjenda që nuk janë ato të LDK-së”.

Abdixhiku ka mbrojtur edhe ekipin negociator, duke thënë se ai ka vepruar mbi bazën e mandatit që i është dhënë.

Për kandidaturën e Sejdiut, ai ka qenë i prerë se nuk ka hapësirë për një emër tjetër.

“Nuk ka më diskutime të tjera”, ka thënë Abdixhiku.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që kundërshtojnë Vetëvendosjen që betejën politike ta zhvillojnë në Kuvend.

“Bëjeni betejën e qeverisë në Kuvend. Mendoni që duhet ta rrëzojmë? Rrëzojeni në Kuvend”, ka deklaruar ai.

Në këtë situatë nuk janë vetëm gjashtë deputetët e LDK-së që e vështirësojnë zgjedhjen e Sejdiut.

PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do ta votojë kandidaturën e tij.

Edhe Aleanca ka dalë me kërkesa dhe kushte të saj, duke e bërë edhe më të vështirë sigurimin e numrave për Presidentin e ri.

Kurti paralajmëron rrezikun e zgjedhjeve të reja

Kurti e ka lidhur drejtpërdrejt dështimin e zgjedhjes së Presidentit me mundësinë e një tjetër procesi zgjedhor.

“Nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me rezultat të njëjtë, me shpresë se ndoshta kësaj radhe rezultati do të jetë një çikë më ndryshe. Nuk do të jetë”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se Kosova po kërcënohet nga “zgjedhjet e katërta me radhë për më pak se 2 vjet”.

Në këtë mënyrë, marrëveshja që u prezantua si rrugëdalje nga kriza tash vetë është përballur me një krizë të re.

Kurti e ka lidhur situatën edhe me konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, nuk ka kuptim që Kuvendi të konstituohet nëse nuk ka zgjidhje për Presidentin dhe vendi përfundon sërish në zgjedhje.

“Ata të cilët po nxitohen për konstituim të Kuvendit në kohën kur nuk mbështesin zgjidhje për President, në fakt nuk po duan konstituim të Kuvendit, por po duan zgjedhje të përsëritura”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/