Monedha përkujtimore prej një dollari me portretin e Donald Trump, e prerë në kuadër të aktiviteteve festive për 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë është nxjerrë në shitje sipas AFP.
Të interesuarit mund t’i blejnë monedhat në paketime me 25 ose 100 copë, me çmime përkatësisht 61 dhe 154 dollarë.
Në njërën anë, monedha koleksionuese paraqet një shqiponjë, simbolin e Shteteve të Bashkuara, sipas dokumentit të publikuar nga Komisioni i Arteve të Bukura.
Në anën tjetër është stampuar portreti i Donald Trump, një imazh që ngjan shumë me portretin e tij zyrtar. Ky portret u frymëzua nga fotografia e Trump të marrë nga policia, në kuadër të hetimeve të nisura në Xhorxhia lidhur me akuzat për ndërhyrje të dyshuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Prerja e kësaj monedhe u miratua në mesin e muajit mars nga Komisioni i Arteve të Bukura, të gjithë anëtarët e të cilit janë emëruar nga Trump.
“Teksa i afrohemi 250-vjetorit (të pavarësisë), po projektojmë monedha që simbolizojnë frymën e vendit dhe demokracinë tonë”, deklaroi në atë kohë arkëtari i SHBA-së, Brandon Rich.
“Nuk ka portret më ikonik për këto monedha sesa ai i presidentit Donald Trump”, shtoi ai.
Në fund të shkurtit, CCAC (Komiteti Këshillimor i Qytetarëve për Monedhat), një tjetër organ që jep mendime për monedhat e reja, refuzoi të shqyrtonte projektin për prerjen e një monedhe me portretin e Trump.
Pas Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776, “asnjë vend në botë nuk pret monedha që mbajnë imazhin e një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike gjatë kohës që ai është në detyrë”, kishte deklaruar në atë kohë një prej anëtarëve të CCAC, Donald Scarinci.
“Vetëm vendet që qeverisen nga mbretër ose diktatorë vendosin imazhet e liderëve të tyre në monedha”, kishte komentuar ai. /Panorama