×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Pamje

    E mbështolli me foli dhe rroba për ta fshehur, Dogana i zbulon armën udhëtarit në Aeroportin e Prishtinës

    Reporteri
    03 Shtator 2026 | 9:09

    Zyrtarët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë parandaluar futjen e një arme ajrore, e cila ishte e padeklaruar dhe e ndaluar për import.

    Gjatë kontrollit të udhëtarëve, një udhëtar i cili kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër, që nënkupton se nuk kishte mall për të deklaruar pranë autoriteteve doganore, është përzgjedhur për kontroll të bagazhit përmes pajisjes së skanimit.

    Nga imazhi i paraqitur në skaner, zyrtari doganor ka evidentuar dyshime lidhur me përmbajtjen e bagazhit, me ç’rast është kryer kontrolli fizik. Gjatë kontrollit është gjetur një revole ajrore “FB Record”, e kalibrit .177, një (1) copë, e cila ishte e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba, me qëllim të fshehjes së saj.

    Arma është ndaluar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare në Aeroportin e Prishtinës për procedim të mëtejmë, ndërsa ndaj udhëtarit do të zhvillohen procedurat përkatëse administrative dhe ligjore.

    Dogana e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës dhe në parandalimin e futjes së mallrave të ndaluara dhe të kontrabanduara, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet kompetente për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!