×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Kërkojnë mbajtjen e seancës

    PDK e Aleanca edhe sot në Kuvend: LVV-ja po përmbys rendin kushtetues

    Reporteri
    03 Shtator 2026 | 12:08

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po përmbys rendin kushtetues me zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallën plenare të Kuvendit, deputetët e këtyre partive thanë se lideri i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i respekton afatet, se janë të bindur se forca e tyre shkon përtej Kushtetutës.

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se asnjë shumicë parlamentare, përfshirë LVV-në, nuk ka të drejtë të zhbëjë demokracinë në vend.

    “Mosrespektimi i Kushtetutës në këtë Kuvend është simptoma e këtij pushteti anarkik. Kjo duket si një formë dhe si një afat. Ju që na shikoni duhet ta dini se ky pushtet autoritar një ditë vjen dhe troket në derën e secilit prej jush, duke shkelur të drejtat themelore, mbyllur bizneset, falimentuar komunat që kanë protestuar dje, moszhvilluar asnjë projekt dhe duke mos respektuar një aktgjykim të Gjykatës Supreme që thotë se nuk mundesh me qenë anëtar qeverie dhe deputet. Pse guxojnë me bërë këtë? Sepse është përmbysur rendi kushtetues dhe janë të bindur se forca e tyre politike shkon përtej Kushtetutës. Përvoja evropiane na ka mësuar një gjë thelbësore: Republika nuk mbrohet vetëm përmes numërimit të votave. Prandaj, asnjë shumicë nuk ka të drejtë të zhbëjë rendin kushtetues që e ka sjellë atë në pushtet”, tha ai.

    Në foltoren e Kuvendit doli edhe deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, e cila tha se Kosovës i duhet krijimi i institucioneve për t’i hapur rrugë projekteve zhvillimore.

    Sipas saj, ky ngërç i krijuar po bën që qytetarët të jenë të pakënaqur me spektrin politik në vend.

    “Ajo çka i duhet Kosovës është krijimi i institucioneve, Kuvendit, qeverisë dhe presidentit. Ne nuk mund t’i zgjedhim të gjitha këto probleme duke bllokuar institucionet dhe shtetin me mendësinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj, qytetarët e Kosovës janë të pakënaqur me ne si politikanë dhe shumë më shumë me deputetët që po keqpërdorin dhe abuzojnë me shtetin dhe pushtetin”, theksoi ai.

    Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

    Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Sipas PDK-së dhe Aleancës, legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar brenda afateve kushtetuese, e cila, sipas tyre, është tridhjetë ditë pas certifikimit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Ndërkohë, më 31 gusht, LVV dhe LDK kishin arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të propozohet për president të vendit. Këto dy parti, bashkë me minoritetet jo-serbe, kanë 80 vota të nevojshme për ta zgjedhur presidentin.

    Mirëpo, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së më 1 shtator u bë e ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do të mundësojnë zgjedhjen e Sejdiut për president./kp

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!