×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Konfiskimi i pasurisë

    Kryeprokurori Gashi: Pasuria e përfituar nga krimi duhet të gjurmohet, sekuestrohet dhe konfiskohet

    Reporteri
    03 Shtator 2026 | 16:29

    Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka kërkuar forcimin e hetimeve financiare dhe të mekanizmave për sekuestrimin e konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

    Gashi i ka bërë këto deklarata në takimin për shkëmbimin e përvojave mbi hetimet financiare, konfiskimin në rastet e korrupsionit dhe funksionet e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, të organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, UNDP, UNODC dhe Instituti i Bazelit për Qeverisje.

    Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Gashi ka theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe formave të tjera të krimit kompleks nuk mund të kufizohet vetëm në ndjekjen penale të personave të dyshuar.

    “Për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera komplekse nuk është e mjaftueshme vetëm ndjekja penale, por edhe zhvillimi i hetimeve financiare si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë që buron nga veprimtaria kriminale”, ka deklaruar Gashi.

    Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet të ndiqet deri në konfiskimin përfundimtar dhe më pas të rikthehet tek shteti dhe personat e dëmtuar.

    “Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet të gjurmohet, të sekuestrohet dhe të konfiskohet përfundimisht dhe të ardhurat e fituara në mënyrë të kundërligjshme t’i kthehen shtetit dhe të dëmtuarve që kanë pësuar nga veprimtaritë kriminale”, ka thënë ai.

    Gashi e ka vlerësuar takimin si mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe vendeve pjesëmarrëse, si dhe për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave në fushën e hetimeve financiare, sekuestrimit, konfiskimit dhe rikthimit të aseteve.

    Në takim kanë marrë pjesë kryeprokurorë dhe prokurorë nga Kosova, përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, përfaqësues të SPAK-ut në Shqipëri, prokurorë nga Prokuroria Kantonale e Sarajevës, si dhe udhëheqës të Zyrave për Rikthimin e Aseteve nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!