Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka folur për zhvillimet e fundit brenda partisë dhe qëndrimet e gjashtë deputetëve që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.

Zemaj ka thënë se edhe brenda grupit të deputetëve të LDK-së ka mendime të ndryshme, duke paralajmëruar se në ditët në vijim mund të shihen edhe qëndrime të tjera.

“Ka edhe deputetë të tjerë, i shihni edhe veprimet e tyre në të ardhmen. Ka edhe deputetë të tjerë që e kanë mendimin e vet”, ka thënë Zemaj në T7.

Reklamë

I pyetur nëse kjo nënkupton se qëndrimet e 12 deputetëve të tjerë të LDK-së ende nuk dihen, Zemaj ka thënë se në këtë proces ndikojnë edhe raportet dhe përvojat personale.

“Ka pak edhe sentimente personale, nuk mundesh me anashkalu faktin që 20 vjet disa jemi bashkë aty. Edhe këtë duhesh me pas pak parasysh”, është shprehur ai.

Zemaj ka thënë se edhe mes gjashtë deputetëve që kanë dalë kundër kandidaturës së Sejdiut ekzistojnë dallime në qëndrime.

Sipas tij, deputeti Kujtim Shala është kategorikisht kundër çdo bashkëpunimi me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

“Kujtim Shala është kategorik që nuk do asnjë bashkëpunim me Albin Kurtin”, ka deklaruar Zemaj.

Reklamë

Ai ka përmendur edhe një arsye tjetër që, sipas tij, ndikon në qëndrimin ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut.

Zemaj ka rikujtuar vendimin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin Sejdiu kishte qenë pjesë e trupit gjykues, duke thënë se ai vendim kishte rrëzuar Qeverinë e LDK-së.

“Vendimi i Bekim Sejdiut në atë kohë jo që e rrëzoi një Qeveri të LDK-së, por i çoi 23 deputetë të LDK-së te shpija, me 10-11 muaj mandat”, ka thënë Zemaj.

Deputeti i LDK-së ka kundërshtuar gjithashtu idenë se gjashtë deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.

Reklamë

Sipas tij, përgjegjësia për situatën aktuale nuk mund t’i atribuohet vetëm LDK-së.

“Në momentin që Albin Kurti nuk të sheh partner për qeverisje, nuk e sheh një njeri të LDK-së kandidat të denjë për president, nuk ka të bëjë me LDK-në”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka thënë se LDK-ja mbetet faktor kyç për shmangien e zgjedhjeve, por ka theksuar se në Kuvend janë gjithsej 120 deputetë.

“LDK-ja është çelësi, për mos me shku në zgjedhje, dhe më së paku gjashtë deputetë të LDK-së, jo zotëri, janë edhe 114 deputetë”, ka thënë Zemaj.

Reklamë

Ai ka theksuar gjithashtu se nuk është i gatshëm të hyjë në një marrëdhënie politike ku LDK-ja do të ishte në pozitë të nënshtruar.

“Nuk bëhem pjesë e një partneriteti ku unë jam i nënshtruar”, ka deklaruar Zemaj.