×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Ceremonia për Mlladiqin

    Kurti: Mohimi fjalë e pamjaftueshme, Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit

    Reporteri
    08 Shtator 2026 | 14:23

    Kryeministri në detyrë I Kosovës, Albin Kurti tha sot se Serbia bëri adhurim shtetëror të gjenocidit. Kjo, pas varrimit me nderime të larta shtetërore të kriminelit të luftës, gjeneralit Ratko Mlladiq që ishte shpallur fajtor për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës ku u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra e djem, në korrik të vitit 1995.

    “Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë”, shkroi Kurti në llogarinë e tij zyrtare në Facebook. “Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”

    Sipas Kurtit, gjenocidi në Srebrenicë është “fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan sistematikisht dhe u hodhën në varreza masive; pastaj shumë prej trupave të tyre u zhvarrosën e u shpërndanë në varreza dytësore e tretësore për t’i fshehur gjurmët e krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”.

    Kurti shtoi tutje se derisa “Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit I cili ka pasur shumë thika, Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikon tash Beogradi zyrtar”.

    Ai rikujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi më 2007 se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj sipas Konventës së Gjenocidit për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe se, duke mos e transferuar atëherë Mlladiqin për gjykim, kishte dështuar të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin. Shteti që për vite nuk e dorëzoi te drejtësia, dje e solli kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbështolli me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë e orkestër. Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore.

    Andaj Kurti vlerëson se nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme.

    Dhe gjithë kjo ceremoni sipas tij, u përgatit në Serbi në këto ditë kur Kosova shënoi 27 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, 29 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe 10 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, si edhe ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës nga viti 1990, apo siç njihet në mënyrë të popullarizuar, të Kushtetutës së Kaçanikut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!