Inspektorati i Mjedisit ka vendosur shiritat e mbylljes në restorantin dhe hotelin “Liqeni i Dukagjinit” në Gjakovë, që ushtronte veprimtarinë në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Kështu ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Pacollit, me vendosjen e shiritave të mbylljes i është dhënë fund veprimtarisë së këtij biznesi në zonën e mbrojtur.
“Inspektorati i Mjedisit ka vendosur shiritat e mbylljes në restorantin dhe hotelin ‘Liqeni i Dukagjinit’, në Gjakovë, duke i dhënë fund veprimtarisë së tij të kundërligjshme në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka thënë se Ministria do të vazhdojë të marrë masa për mbrojtjen e ujërave dhe zonave të mbrojtura në Kosovë.
“Si Ministri, do të vazhdojmë të veprojmë me vendosmëri për mbrojtjen e ujërave dhe zonave të mbrojtura të Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.
“Uji i pijshëm është pasuri publike dhe mbrojtja e tij nuk ka kompromis!”, ka përfunduar ajo.
Ndryshe, më 21 gusht, ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, kishte njoftuar se Inspektorati i Mjedisit i kishte dhënë pronarit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit” një afat prej 10 ditësh për largimin e objektit nga zona e mbrojtur e Liqenit të Radoniqit.