×
  • Lajme
  • Raporto
  • Shqipëri

    22 vatra zjarri në Shqipëri, 12 aktive – qindra forca dhe helikopterë në terren

    Reporteri
    08 Shtator 2026 | 21:59

    Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë aktive në disa zona të vendit, ku strukturat operacionale po punojnë për shuarjen dhe izolimin e vatrave, me mbështetje edhe nga ajri.

    Gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 22 vatra zjarri, prej të cilave 12 janë aktive, 9 nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar.

    Në operacione janë angazhuar 498 forca vendore dhe lokale dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjete zjarrfikëse, mjete mbështetëse, autoambulanca, dronë dhe helikopterë. Janë realizuar gjithsej katër operacione me helikopterë.

    Në Qarkun e Tiranës, zjarri në Malin e Dajtit vijon të jetë aktiv në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar 25 efektivë zjarrfikës, 7 forca të ADM-së, 55 efektivë të Forcave të Armatosura, pesë mjete, një autoambulancë dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

    Vatra në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa zjarri në Malin e Bërzhitës është izoluar dhe vijon të monitorohet nga strukturat vendore.

    Në Qarkun e Dibrës aktive mbeten vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos.

    Në Lundre–Madhesh, operacioni po zhvillohet me forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 22 efektivë të Forcave të Armatosura, tre mjete dhe një autoambulancë. Autoritetet bëjnë të ditur se në këto zona nuk ka rrezik për banesat.

    Në Qarkun e Lezhës, aktive janë vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Bashkisë Lezhë.

    Në Gallatë ndërhyrja vështirësohet nga terreni, ndërsa në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet janë angazhuar 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të Forcave të Armatosura, 16 mjete, dy autoambulanca dhe një helikopter. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

    Në Qarkun e Elbasanit, zjarri në Malin e Qukësit në Prrenjas është nën mbikëqyrje. Ndërkohë, në Gurëshpatë të Librazhdit vatra vijon të jetë aktive, ku në terren ndodhen gjashtë efektivë të MZSH-së dhe një automjet. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

    Në Qarkun e Shkodrës, vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje. Zjarri në Mnelë të Vogël të Vaut të Dejës vijon aktiv dhe po përballet nga strukturat vendore, të mbështetura nga 27 efektivë të Forcave të Armatosura, tre automjete zjarrfikëse, një autobot dhe një helikopter.

    Puna vijon edhe në Bardhaj–Myselim, me pjesëmarrjen e MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë dhe vullnetarëve, të mbështetur nga 43 efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete të tjera. Në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.

    Vatra në Bërdicë është nën mbikëqyrje, ndërsa zjarri në Malin e Tërbunit në Pukë vijon aktiv në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në operacion janë angazhuar forcat vendore dhe 32 efektivë të Forcave të Armatosura, me tre mjete dhe një autoambulancë. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

    Në Qarkun e Vlorës, vatra në Bolenë të Himarës është nën mbikëqyrje. Ndërkohë, në Qesarat të Finiqit zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe me shkurre, ndërsa në operacion është angazhuar MZSH Finiq dhe është kryer ndërhyrje me një helikopter.

    Në Qarkun e Fierit, vatrat në Peshtan dhe Çërrilë të Mallakastrës janë nën mbikëqyrje dhe po monitorohen nga strukturat zjarrfikëse për të parandaluar riaktivizimin.

    Në Qarkun e Durrësit, zjarri në Halil të Krujës, i cili ishte shfaqur pranë zonave të banuara, është izoluar dhe shuar. Zona vijon të monitorohet nga MZSH Krujë.

    Në Qarkun e Kukësit, vatra në Mamëz, në njësinë administrative Kolsh, është nën mbikëqyrje. Zjarri është shfaqur në sipërfaqe me shkurre dhe pisha, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

    Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.

    Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!