Një fotografi e rrallë e komandantit aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jasharit, me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është publikuar në kuadër të ekspozitës “Ditari i një fotografi të luftës”, të fotografit Visar Kryeziu.
Ekspozita është hapur sonte në Galerinë e Arteve të Prishtinës, me kuratore Eliza Hoxhën, në kuadër të aktiviteteve të platformës qytetare “Liria Ka Emër” dhe në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Fotografia e Bashkim Jasharit është pjesë e arkivit fotografik të Kryeziut, i cili përmes ekspozitës ka sjellë një përzgjedhje të fotografive të realizuara gjatë luftës në Kosovë më 1998–1999 dhe në periudhën menjëherë pas saj.
Përmes fotografive të ekspozuara dokumentohen lufta, vuajtjet e popullatës, rezistenca, çlirimi dhe momentet e para pas përfundimit të luftës.
Fotografia e Jasharit, në uniformën e UÇK-së, sjell një dëshmi të rrallë vizuale nga periudha e luftës dhe nga një kapitull i rëndësishëm i historisë së Kosovës.
Nën kurimin e Eliza Hoxhës, ekspozita synon të ruajë dhe promovojë kujtesën historike përmes dëshmive autentike fotografike të kohës.
Realizimi i saj është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, e cila i është bashkuar kësaj nisme për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Hapja e ekspozitës vjen pak ditë para Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës” mbetet e fokusuar te fotografia si dëshmi e drejtpërdrejtë e një periudhe që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Kosovës.