×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Wizz Air lidh Romën-Fluminico dhe Prishtinën me fluturim të ri direkt

    Reporteri
    08 Shtator 2026 | 22:32

    Wizz Air dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Limak Kosovo J.S.C. kanë kënaqësinë të mirëpresin sot fluturimin inaugurues të Wizz Air nga Aeroporti i Romës Fiumicino në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke nisur zyrtarisht një lidhje të re direkte mes Kosovës dhe Italisë.

    Linja e re do të operojë dy herë në javë, të martave dhe të shtunave, me çmime të biletave në një drejtim që fillojnë nga €24.99. Fluturimi direkt prej rreth dy orësh u mundëson pasagjerëve qasje të lehtë në kryeqytetin italian, ndërsa ofron fleksibilitet më të madh për udhëtime, vizita familjare, arsim dhe biznes.

    Nisja e kësaj linje vjen në një kohë të rritjes së qëndrueshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, i cili mirëpriti më shumë se 4.6 milionë pasagjerë në vitin 2025. Një pjesë e madhe e udhëtimeve ajrore të Kosovës nxitet nga lidhjet e forta familjare dhe të diasporës, së bashku me kërkesën në rritje për udhëtime turistike dhe biznesi. Linja e Romës i përgjigjet drejtpërdrejt këtyre nevojave duke u ofruar pasagjerëve një lidhje pa ndalesë dhe me çmim konkurrues me kryeqytetin e Italisë, në vend që të kërkojë udhëtime më të gjata apo të mundimshme me tranzit përmes një aeroporti tjetër.

    Për pasagjerët në Kosovë, Roma është e rëndësishme shumë më tepër se sa thjesht një destinacion për të kaluar fundjavën. Ky shërbim do t’u lehtësojë vizitat familjeve komunitetit kosovar që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Itali; do të krijojë një lidhje praktike për studentët, profesionistët dhe bizneset; si dhe do t’u ofrojë udhëtarëve italianë qasje më direkte me Prishtinën dhe në ofertën më të gjerë turistike të Kosovës. Rrjedhimisht, fluturimi i ri forcon si marrëdhëniet e përditshme mes njerëzve, ashtu edhe lidhjet më të gjera ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

    Linja e Romës është vazhdimësi direkte e zgjerimit të Wizz Air pas hapjes së bazës së saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më herët gjatë vitit 2026. Me një avion Airbus NEO A321 të alokuar në Prishtinë, baza solli kapacitet të konsiderueshëm shtesë, krijoi 40 vende direkte pune për pilotë dhe ekuipazh kabine, si dhe pritet të mbështesë rreth 350 vende pune indirekte në shërbimet aeroportuale, turizëm dhe mikpritje. Rrjeti i zgjeruar i Wizz Air në Prishtinë tani ofron nëntë linja në gjashtë shtete, ku lidhja me Romën dëshmon se si investimi në bazë po sjell më shumë destinacione, zgjedhje më të madhe dhe çmime të përballueshme për pasagjerët e Kosovës.

    Salvatore Gabriele Imperiale, Menaxher i Komunikimeve Korporative në Wizz Air, tha:

    “Mbërritja e fluturimit tonë inaugurues nga Roma është një tjetër moment i rëndësishëm për Wizz Air në Kosovë. Që nga fluturimi ynë i parë në Prishtinë në vitin 2017, ne kemi vazhduar të rritemi së bashku me këtë treg, dhe hapja e bazës sonë më herët këtë vit e forcoi atë përkushtim afatgjatë. Linja e re e Romës u ofron familjeve, studentëve, turistëve dhe udhëtarëve të biznesit një lidhje direkte mes Kosovës dhe Italisë me çmime që fillojnë nga vetëm €24.99. Kjo është pikërisht ajo për të cilën është projektuar baza jonë në Prishtinë: më shumë destinacione, më shumë zgjedhje dhe udhëtim i përballueshëm për pasagjerët lokalë. Let’s WIZZ, Prishtinë!”

    Gökhan Açıkgöz, Drejtor Ekzekutiv (CEO) i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tha:

    “Për Kosovën, një linjë e re është më shumë se një destinacion shtesë në tabelën e nisjeve. Ajo do të thotë udhëtime më të shkurtra dhe më të përballueshme për familjet, qasje më të mirë për qytetarët tanë dhe një mundësi të re për të mirëpritur vizitorët në vendin tonë. Shërbimi i Romës është një tjetër përfitim i dukshëm i bazës së Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ dhe konfirmon besimin e vendosur në aeroportin tonë dhe në tregun ajror në rritje të Kosovës. Pasi mirëpritëm më shumë se 4.6 milionë pasagjerë vitin e kaluar, përgjegjësia jonë është ta kthejmë këtë rritje në lidhshmëri domethënëse. Kjo lidhje direkte me Romën bën pikërisht këtë, duke forcuar turizmin, tregtinë dhe lidhjet e ngushta ndërmjet popullit të Kosovës dhe Italisë.”

    Biletat janë tashmë në dispozicion në www.wizzair.com dhe përmes aplikacionit zyrtar celular WIZZ. Çmimi i cekur është për një drejtim, përfshirë taksën e administrimit; një çantë dore është e përfshirë. Shërbimet shtesë dhe bagazhet u nënshtrohen tarifave shtesë. Çmimi vlen për rezervime të caktuara dhe varet nga disponueshmëria.

    Rreth Wizz Air

    Wizz Air operon një flotë prej 270 avionësh Airbus A320 dhe A321. Një ekip profesionistësh të përkushtuar të aviacionit ofron shërbim elitar dhe çmime shumë të ulëta, duke e bërë Wizz Air zgjedhjen e preferuar të 68.6 milionë pasagjerëve në vitin 2025. Përmes WIZZ Holidays, linja ajrore u ofron klientëve paketa pushimesh me çmime konkurruese, duke kombinuar fluturimet e Wizz Air me akomodim të përzgjedhur me kujdes dhe shërbime udhëtimi në të gjithë rrjetin e saj. Wizz Air është e listuar në Bursën e Londrës nën simbolin WIZZ. Kompania u shpall një nga dhjetë linjat ajrore më të sigurta në botë nga AirlineRatings.com dhe u shpall Linja Ajrore e Vitit nga Air Transport Awards në vitet 2019 dhe 2023. Wizz Air u njoh gjithashtu si “Linja Ajrore me Kosto të Ulët më e Qëndrueshme” në World Finance Sustainability Awards nga viti 2021 deri në vitin 2025.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!