Pesë vetura janë përfshirë nga zjarri të mërkurën në fshatin Vlashnje të Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar për medie zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, Policia ka identifikuar një person të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, ndërsa pas konsultimit me prokurorin kujdestar është iniciuar rast për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Sot, më 09.09.2026, rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se në fshatin Vlashnje, Prizren, është shkaktuar një zjarr. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet e zjarrfikësve. Pas intervenimit të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe shuar”, tha Bytyqi.
Si pasojë e zjarrit, pesë vetura janë përfshirë nga flakët dhe kanë pësuar dëme.
“Policia ka identifikuar një person të dyshuar dhe, në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.