Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë të mërkurën pas mospajtimeve mes subjekteve politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Pas më shumë se 60 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Kuvendi arriti të zgjedhë Albulena Haxhiun kryetare, por procesi i konstituimit nuk u përmbyll.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca do të vazhdojë të premten në orën 11:00, me arsyetimin se nevojitet dakordim ndërmjet subjekteve politike për nënkryetarët.
VV: Nuk ka vota për propozimet e PDK-së dhe LDK-së
Lëvizja Vetëvendosje, partia e parë në zgjedhjet e 7 qershorit, ka propozuar Ardian Golën për nënkryetar të Kuvendit.
Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, tha se grupi parlamentar i Vetëvendosjes nuk do t’i votojë propozimet e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, duke u thirrur në deklaratat e tyre se nuk do të marrin pjesë në votimin për presidentin.
“Ishin dy çështje pse u shty seanca e sotme. E para ka të bëjë me kushtetutshmërinë, dhe e dyta ka të bëjë me propozimet e PDK-së e LDK-së. Deklarata e Simiqit është e papranueshme dhe bie ndesh me Kushtetutën. […] Çështja e dytë është se propozimet e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku përkatësisht Kujtim Shala, […] thonë se nuk do të marrin pjesë në votimin e presidentit dhe po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”, tha Nagavci.
Ajo tha se për VV-në është me rëndësi që të përmbyllet sa më shpejt konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit.
PDK: Vlora Çitaku propozohet për nënkryetare
Partia Demokratike e Kosovës, e dyta në zgjedhjet e 7 qershorit, propozoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se zhvillimet në Kuvend që nga 6 shkurti janë, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ai tha se PDK-ja kishte vendosur të merrte pjesë në seancë për shkak të rëndësisë së datës 16 shtator, kur pritet shpallja e vendimit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
“Në emër të PDK-së për nënkryetare të Kuvendit e propozojmë Vlora Çitakun. Jemi këtu për të konstituar Kuvendin e Kosovës dhe propozojmë emrin për nënkryetar, por nuk mund të mos themi që kjo që ka ndodhur nga 6 shkurti është një situatë komplet jokushtetuese”, tha Gruda.
Ai paralajmëroi se PDK-ja do t’i trajtojë pas 16 shtatorit, në rrugë politike dhe institucionale, zhvillimet që i konsideron shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
“Për hir të kësaj date ne s’kemi dashur të mbivendosim konfliktin politik ose dilemat kushtetuese kësaj date dhe kemi ardhur sot këtu. Por, për neve gjithçka që ka ndodhur këto muaj nuk mund të kalojë”, tha Gruda.
LDK: Situatë e paprecedentë
Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e tretë në zgjedhjet e 7 qershorit, propozoi Kujtim Shalën për nënkryetar të Kuvendit.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, e cilësoi situatën si të paprecedentë, duke kritikuar Vetëvendosjen për mosvazhdimin e procedurës së votimit.
“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga grupi më i madh për propozimet për nënkryetarë që i kanë bërë partitë e tjera”, tha Lushaku.
Sipas saj, grupi më i madh parlamentar po pengon vazhdimin e procesit për shkak të mungesës së mbështetjes për kandidatët e propozuar nga partitë e tjera.
Lista Serbe: Përplasje për mënyrën e propozimit
Përplasje pati edhe lidhur me propozimin e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
Deputeti Igor Simiq propozoi Sllavko Simiqin për këtë pozitë, duke thënë se po e bënte “në emër të popullit serb”.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi formulimin si të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke kërkuar nga Simiqi që ta tërheqë atë pjesë të deklaratës.
“Tërhiqeni fjalën që ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe pastaj vazhdojeni propozimin”, i tha Haxhiu deputetit Simiq.
Krahas Sllavko Simiqit, nga komunitetet jo shumicë ishte propozuar edhe Emilija Rexhepi.
Kurti kërkon dakordim me PDK-në dhe LDK-në
Kryetari i VV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, tha se ka kontaktuar kryetarët e PDK-së dhe LDK-së për të zhvilluar takime dhe për të arritur dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve.
“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë”, tha Kurti.
Kurti u deklarua edhe për propozimin e Listës Serbe, duke e cilësuar deklaratën e Igor Simiqit si në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Siç e tha edhe kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës, me betimin që ai vetë e ka bërë”, tha Kurti.
Aleanca: “Kjo është një maskaradë”
Aleanca, partia e katërt në zgjedhjet e 7 qershorit, e ka kundërshtuar shtyrjen e seancës për të premten.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e cilësoi shtyrjen si “maskaradë”, duke akuzuar Vetëvendosjen se po e zvarrit konstituimin e Kuvendit me synimin për të arritur deri te zgjedhjet e reja më 27 dhjetor.
“A ju kemi thënë që nuk kanë me konstitu Kuvendin sot. […] Kjo çka ka ndodhë është një maskaradë për me shty kohë apo me ble kohë. Është qëllimi i pastër për me ble kohë, për me zvarrit krijimin e institucioneve të Kosovës”, tha Gjini.
Sipas tij, shtyrja e procesit mund të ndikojë në afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe eventualisht në shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Duan të mbërrijnë së paku datën 13 shtator, në mënyrë që të kalkulohet edhe 60-ditëshi i afatit për zgjedhjen e presidentit dhe 45 deri në shkuarje në zgjedhje, që me mbërrijë datën 27 dhjetor”, tha Gjini.
Ai paralajmëroi se Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e moskonstituimit të Kuvendit brenda afateve kushtetuese.
“Nuk kemi rrugë tjetër përveç me iu referuar Gjykatës Kushtetuese. Do të synojmë koordinim me dy partitë të tjera dhe po absolutisht duhet referu Kushtetutës”, tha Gjini.
Gjini njoftoi gjithashtu se deputetët e Aleancës nuk do të marrin pjesë në seancën e së premtes, duke e konsideruar atë “të jashtëligjshme, jashtëkushtetuese dhe farsë”.
Si mbeti Kuvendi pas seancës së 9 shtatorit?
Pas seancës së së mërkurës, Kuvendi ka të zgjedhur kryetaren Albulena Haxhiu, por jo të gjithë nënkryetarët.
Propozimet për nënkryetarë janë:
VV: Ardian Gola
PDK: Vlora Çitaku
LDK: Kujtim Shala
Komuniteti serb: Sllavko Simiq
Komunitetet jo shumicë: Emilija Rexhepi
Seanca konstituive do të vazhdojë të premten në orën 11:00./Reporteri.net/