Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në reagimin e saj, PDK-ja e ka cilësuar aktgjykimin si “të padrejtë dhe të papranueshëm”, duke shprehur indinjatë dhe zhgënjim për vendimin.
Sipas PDK-së, aktgjykimi përbën “një goditje të rëndë” për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka deklaruar se, sipas saj, aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë atë që e konsideron të vërtetën historike për luftën e Kosovës.
“Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”, thuhet më tej.
PDK ka theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së iu përgjigjën procesit gjyqësor në Hagë dhe se beteja për drejtësi, sipas saj, do të vazhdojë edhe më tej.
“PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Në fund, PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të asaj që e quan “të vërtetë historike” dhe të luftës së UÇK-së.
“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, përfundon reagimi i PDK-së.