Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë edhe pas tri orësh prej që ishin pozicionuar aty. Ata qenë nisur në këmbë nga zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë ku protestuan fillimisht e u kthyen pas.
Në mesin e protestuesve janë edhe deputetet Ganimete Musliu, Time Kadrijaj, Sala Jashari e Albana Bytyqi.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, u ka kërkuar protestuesve që të mblidhen e të dalin me një kërkesë kryesore për deputetët e Kosovës që të mblidhen në një seancë plenare.
“Vdekje tradhtarëve, liri çlirimtarëve”, është dëgjuar të thuhet disa herë nga protestuesit.
Ata kanë vendosur një flamur kombëtar para derës së Qeverisë. Disa protestues u lejuan nga policët që ta kalonin kordonin policor për ta vendosur flamurin.
Gjykata Speciale ka dënuar sot me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.