×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Fokus

    Franca pas aktgjykimit të Hagës: Mbështetja për pavarësinë e Kosovës është e palëkundur

    Reporteri
    16 Shtator 2026 | 20:56

    Franca ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur për pavarësinë dhe institucionet e Kosovës, pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se e ka marrë në dijeni vendimin në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, duke rikujtuar se palët kanë të drejtë ankese.

    “Ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë”, thuhet në deklaratë që u publikua në uebfaqen e kësaj ministrie.

    Parisi zyrtar ritheksoi mbështetjen për Dhomat e Specializuara dhe angazhimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

    “Franca përsërit mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet më tej.

    Reagimi vjen pasi trupi gjykues i shpalli fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

    Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.

    Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet. Mbrojtja e të dënuarve ka bërë të ditur se do ta dërgojë çështjen në Apel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!