×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme
    INSTANT

    Lushtaku: Ky pushtet nesër mund t’i arrestojë edhe ata që janë krenarë për UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 19:11

    Deputeti i PDK-së , Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas arrestimit të birit të një dëshmori, i cili dyshohet se ka kanosur Donika Gërvallën.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lushtaku ka kritikuar edhe qasjen indiferente të Gërvallës pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, ku katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

    “Kështu do t’i arrestojë krejt veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve ky pushtet! Njëherë i dërgojnë në Hagë dokumente kundër UÇK-së, e pastaj, kur çlirimtarët dënohen mbi bazën e dëshmive të fabrikuara dhe të manipuluara, heshtin”, ka shkruar Lushtaku.

    Tutje, ai ka thënë se në të ardhmen pushteti aktual mund t’i arrestojë edhe ata qytetarë që ndiejnë krenari për UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare.

    “Më lehtë e kanë t’i arrestojnë këto familje. Por ndoshta shkojnë edhe më tej, nesër mund t’u vijë radha edhe atyre që janë krenarë për UÇK-në dhe për luftën e saj çlirimtare”, ka deklaruar ai.

    Të martën protestohet para ndërtesës së OKB-së në Nju Jork në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 19:29

    Platforma Liria ka Emër, ka njoftuar se të martën do të mbahet protestë para ndërtesës së OKB’së në New York.

    Në njoftim shtohet se, protesta është thirrur nga pjesëtarët e komuniteti shqiptaro-amerikan.

    ‘’Të martën e 22 shtatorit në ora 18:00 do të mbahet një protestë para ndërtesës së OKB-së në NEW YORK të SHBA-ve. Kjo protestë është thirrur nga pjestarët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Dag Hammarskjöld Plaza, E. 47th St., mes 1st & 2nd Ave 📅 22 shtator 2026 ⏰ 18:00’’, thuhet në njoftim.

    Pandeli Majko pas vendimit në Hagë për drejtuesit e UÇK-së: Ku gabuam?

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 18:31

    Pandeli Majko, kryeministër i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, shtron pyetjen “Ku gabuam?”, duke shprehur pikëpamjen se sot, reflektimi se ku gabuam duhet të jetë kolektiv!

    “Pas deklarimit të vendimeve të Hagës në dënimin për “krime lufte” të drejtuesve të UÇK-së, vjen një reflektim i cili bllokohet nga pyetja “Ku gabuam?”…

    Pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na “tradhëtuan”… është veç ngushëllim!””, ka shkruar ndër të tjera ai.

    Postimi i tij:

    KU GABUAM… ?

    Pas deklarimit të vendimeve të Hagës në dënimin për “krime lufte” të drejtuesve të UÇK-së, vjen një reflektim i cili bllokohet nga pyetja “Ku gabuam?”…

    Dënimet e fundit në Hagë e kanë kthyer politikën shqiptare në një varrezë ambicjesh!

    Prezenca e politikanëve sot, i ngjan shpejgimit dorëzues se “… në fund, nuk munda të bëj asgjë, veç të isha i pranishëm!”

    Në të tilla momente njeriu sajon histori për ti dhënë kuptim të shkuarës… derisa trillimi zëvendëson të vërtetën! Ky është ngushëllim por jo justifikim!

    Ngushëllimi i parë është ai që UÇK doli e pastër nga gjykimi në Hagë! UÇK po rikonsiderohet si një “ushtri e mirë” por me drejtues të akuzuar për krime lufte!…

    Kriza që prodhoi Haga, nuk është vetëm politike! Ajo do të ngrejë pyetje të vështira nga shqiptarët e rinj për këtë trashëgimni e cila po legalizohet në Hagë!

    Përgjigjet që nuk thuhen sot, do të kuptohen nesër!

    “Krimet e luftës” për të cilat akuzohen drejtuesit e UÇK-së janë kryesisht të periudhës së PAS LUFTËS, mbas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ku Jugosllavia e mbetur, firmosi humbjen e Luftës!

    “Krimet e luftës” janë pjesë e betejave politike se kush do të drejtonte Kosovën PAS LUFTES!

    Tek “krimet e luftës” u paketuan dëshmitë e spiunëve të Serbisë me ata që u përplasën politikisht me ish drejtuesit e UÇK-së kryesisht, PAS LUFTES!

    Tek “krimet e luftës” u ndërlidhën akuzat për korrupsion për ish drejtues të UÇK-së PAS LUFTËS!

    Për ata që vlerësojnë se me gjykimin e Hagës për shpalljen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si “kriminel lufte” është vendosur drejtësia kanë një gabim në interpretim!

    Serbia si aktorja më aktive e gjykatës së Hagës për dënimin e shqiptarëve nuk i intereson se cfarë ka ndodhur PAS LUFTËS! Ajo kërkon një justifikim substancial për domethënien e krimeve të saj shtetërore karshi shqiptarëve!
    Serbët janë një komb i edukuar me narcizisëm! Serbia dëshiron të fitojë LUFTËN e humbur në librat e historisë!
    Vendimi për “krime lufte” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë të mjaftueshme për “revanshin” në betejën e historisë së shkruajtur!

    Vini re që dënimet maksimale janë për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin të cilat kanë qenë fytyrat më publike të UÇK-së gjatë Luftës!

    Krenaria në historinë e shqiptarëve pas Skënderbeut nuk ka fytyra udhëheqësish! Të gjithë kanë nga një “bisht” me akuza për tradhëti apo diktatorë!

    Kjo është pjesë e dramës shqiptare dhe deformimit që kundërshtarët e tyre gjeopolitik kanë nxitur! Por ajo është pasojë edhe pasionit pa kufizime dhe egos së drejtuesve të një kombi me histori shtetërore modeste!
    Deformimet për ti trajtuar shqiptarët si komb i dështuar hyn tek një teknikë historike që nuk shkruhet por nënkuptohet!

    Luftërat serbe fillojnë në libra për të vazhduar në realitet! Vendimi i Hagës ishte i rëndësishëm për “librin” e ri të RIKTHIMIT të Serbisë në Kosovë…

    Ndaj sot, reflektimi se KU GABUAM duhet të jetë kolektiv!

    Pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na “tradhëtuan”… është veç ngushëllim!

    Çitaku kërkesë Gjykatës Speciale: Publikojeni aktgjykimin e plotë, pa redaktime

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 17:35

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar nga Gjykata Speciale që ta publikojë aktgjykimin e plotë dhe të paredaktuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ajo në një postim në Facebook, ka shkruar se nuk mund t’i dënosh ata në emër të popullit, dhe mos ta publikosh aktgjykimin e plotë.

    “Nuk mundesh me i dënu çlirimtarët në emër të popullit, e pastaj mos me e publiku të plotë, pa asnjë redaktim, aktgjykimin mbi të cilin i ke dënuar. Të plotë. Pikë e presje.

    “”Le ta shohë populli se mbi çfarë “faktesh” e “dëshmish” është ndërtuar një vendim i tillë ndaj katër burrave që rastësisht janë gjallë, sepse kur e kanë veshur uniformën me tri shkronjat e arta, më afër se këmishën në trup e kanë pasë vdekjen. Publikojeni të plotë. Pa redaktime”, thuhet në shkrimin e saj.

    Veteranët pritet të protestojnë sërish javën e ardhshme, insistojnë në shkarkimin e Gërvallës

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 16:46

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të protestojë sërish javën e ardhshme, në kundërshtim me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

    Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se vendimi për protestën e radhës pritet të merret në mbledhjen e Kryesisë të hënën.

    Syla ka deklaruar se protestat mund të zhvillohen edhe në komunat ku OVL-UÇK-ja ka degë.

    “Do të vazhdojmë me protesta. Besojmë të hënën do të mblidhet Kryesia prapë. Edhe do të marrim vendim për protestën e radhës. Po tash t’ia shohim, ndoshta do t’i ndërrojmë idetë… Ka mundësi që të mërkurën vendosim me pasë protestë. Por kemi menduar me decentralizua protestën. Ka mundësi me realizua në komuna ku i kemi degët tona që funksionojnë atje”, tha ai.

    Syla ka deklaruar se, nëse shteti e merr seriozisht mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit, ai beson se ata do të dalin fitimtarë.

    “Ky dënim është dhënë mbi bazën e materialeve që i ka dërgu prokuroria e Serbisë, prokurorisë, Gjykatës Speciale, gjykata i ka marrë për trajtim. Fare nuk ekzistojnë as ato farë shqyrtimet që i thoshin, janë të pabaza krejt. Provoi me dy-tri raste në njëfarë forme me manipulua me opinion, me thënë, ‘shihni, këta jo’, edhe njëfarë forme provoj me thënë, këta janë individë, po jo UÇK-ja… Nëse shteti jonë e merr seriozisht, jemi të bindur se në apel do të jemi fitimtarë dhe nuk kemi asnjë dilemë këtu”, deklaroi Syla.

    Ai ka kërkuar nga deputetët që të ndryshojnë ligjin për Gjykatën Speciale, në mënyrë që të mundësohet monitorimi i procesit.

    “Neve çka kërkojmë është me pasë një lloj monitorimi të procesit, çka ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë deri në apel. Ju e dini që u bë një padrejtësi shumë e madhe atje. Ju e dini që krejt kjo prokurori, krejt kjo Gjykatë Speciale u furnizua me materiale prej prokurorisë serbe. Prandaj askush nuk pati mundësi ndonjëherë me monitoru veç çka po ndodh. Monitorim nuk do të thotë ndërhyrje. Monitorim është me pa me çfarë prova ti i ke dënu njerëzit, ku i ke marrë ato prova, nga cili shtet… Me amandamentu ligjin, me i dhënë mundësi shtetit tonë me u interesu edhe me pas qasjen në monitorim të procesit qysh ka shkuar deri tash, sepse ne duhet. Apeli do të vendosë në bazë të asaj çfarë ka ndodhur tash, cilat shkelje kanë ndodhur, cilat prova nuk kanë qenë legjitime, se ka plot prova që janë marrë që nuk kanë qenë legjitime fare”, thekson ai.

    Ndërkaq, Syla ka theksuar se veteranët do të insistojnë në kërkesën për shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.

    Ai kritikoi heshtjen e saj për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, derisa shtoi se e njëjta ka dërguar materiale kundër tyre.

    “Nuk meriton ajo zonja me qenë pjesë e institucioneve tona, përkatësisht ministre e Drejtësisë, sepse pikërisht ne e kemi me pasë punë me Ministrinë e Drejtësisë edhe te çështja e fondeve, po edhe te çështja e mbrojtjes. Ministria e Drejtësisë e ka rolin më të kryesor në qeverinë e Republikës tonë. Prandaj, duke qenë ajo aty, ne e kemi dyshimet tona që kjo veç sa ka me na pengu, e jo me na ndihmu… Deklaratat e saj, neve na kanë shtyrë me bë këtë kërkesë. Ajo edhe vetë e ka deklaru që ka qenë, domethënë, dëshmitare, ka dërgu material atje, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj nuk i bën nder vendit tonë, Kosovës tonë, personaliteti i saj me qenë në pozitë udhëheqëse shtetërore… Ne jemi të bindur që zoti Kurti e din që jemi më të vendosur se kurrë në këto kërkesa. Edhe po besojmë që ka me reflektu zoti Kurti. Edhe po, ka pozita të tjera për zonjën Gërvalla kudo që e vlerëson ai, por jo në këtë dikaster, sepse është tepër e rëndësishme për ne dhe po besojmë që ka me reflektu, sepse përndryshe nuk do të ndalemi me protesta për këto kërkesa që i kemi vendosur dje në protestën tonë. Po sigurisht që po. S’ndalemi ne veteranët kur e japim fjalën edhe e mbajmë”, deklaroi ai për KosovaPress.

    Syla ka folur edhe për gjuhën e ashpër që veteranët përdorin ndaj kryeministrit Albin Kurti.

    Sipas tij, Kurti ka ndikuar në ndërprerjen e komunikimit mes OVL-UÇK-së dhe institucioneve të vendit.

    I pyetur për kritikat se OVL-UÇK-ja mund të jetë e ndikuar nga PDK-ja dhe Aleanca, Syla i ka mohuar këto pretendime.

    Gjykata Speciale më 16 shtator dënoi me 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për siç është thënë, krime lufte.

    Pas dënimit, OVL-UÇK ka organizuar protestë më 18 shtator./

    Hamza viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: I sigurova se nuk janë vetëm

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 15:59

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se sot ka qëndruar për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit në Hagë.

    Hamza thotë se i ka siguruar se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë.

    Postimi i tij:

    Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë.

    Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë.

    Jemi krenarë për ta, për luftën tonë për liri dhe për gjithçka që ata përfaqësojnë në historinë dhe shtetin tonë.

    Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë.

    Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!

    “Jo në emrin tim!”, diaspora në Zvicër proteston ndaj vendimit të Speciales

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 15:52

    Shqiptarë nga diaspora janë mbledhur sot në Cyrih të Zvicrës, në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Tubimi po zhvillohet në sheshin Helvetiaplatz.

    Protestuesit kanë dalë me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, ndërsa përmes tubimit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së.

    Tubimi është organizuar nga një grup të rinjsh shqiptarë në Zvicër dhe, sipas organizatorëve, është lejuar nga Policia e Cyrihut.

    Protesta në Cyrih është pjesë e tubimeve të diasporës shqiptare në vende të ndryshme, pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Erion Veliaj reagon nga burgu: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 14:33

    Në një deklaratë nga paraburgimi, kryebashkiaku i Tiranës thotë se vendimi i Hagës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së e ka tronditur thellë, ndërsa thekson se procesi juridik duhet të ndjekë rrugën e tij.

    Sipas Veliajt, nderimi nga Tirana nuk synon të zëvendësojë drejtësinë me politikën apo t’i tregojë gjykatës se çfarë duhet të vendosë, por të shprehë, siç thotë ai, mirënjohjen për kontributin historik të katër ish-drejtuesve të UÇK-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

    Veliaj u bën thirrje edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme. Në deklaratë, ai ndalet edhe te situata e tij personale, duke thënë se prej 19 muajsh ndodhet në izolim dhe pa mundësi reale për të ushtruar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Por, sipas Veliajt, çështja e Kosovës dhe kujtesa për luftën e saj për liri janë më të mëdha se drama e tij personale. “Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata”, shprehet Veliaj, duke e mbyllur deklaratën me mesazhin se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi duhet të jenë, sipas tij, nderi i kryeqytetit.

    Deklarata e plotë e Veliajt:

    Të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë,

    të dashur qytetarë të Tiranës,

    të dashur shqiptarë kudo që jeni,

    Po bëj 19 muaj në izolim. Nëntëmbëdhjetë muaj pa mundësinë reale për të ushtruar mandatin kushtetues që më kanë besuar qytetarët e Tiranës me një rekord historik votash.

    Vetëm pak ditë më parë u mor një tjetër vendim gjyqësor që ishte nje grusht institucional ndaj demokracise vendore. Natyrshëm, mund të prisnit që sot t’ju flisja për këtë.

    Por ka momente në jetën e një njeriu kur drama e tij personale bëhet e vogël, përpara një çështjeje kombëtare.

    Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar.

    Për të kujtuar si liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence, pas familjesh të dëbuara nga shtëpitë e tyre, jetësh të humbura dhe sakrificash të jashtëzakonshme, pas vendimit të një populli për të mos pranuar më që fati i tij të përcaktohej nga të tjerët. Në atë histori, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vendin e saj të lavdishëm, sikurse ushtarët e saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ata janë katër burra që historia i vendosi në një prej kapitujve më të vështirë dhe më vendimtarë të Kosovës. Kam jetuar dhe punuar në Kosovë, e njoh nga afër Hashimin …

    Ndaj sot dua që Tirana të flasë. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.

    Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

    Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata.

    E nga Tirana dua t’u drejtohem edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare, të nderojnë si Tirana. Pasi këta katër burra nuk janë pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe përmes saj, e historisë sonë shqiptare. Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm. Le t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se Shqipëria nuk e harron Kosovën. Le t’u tregojmë brezave që vijnë se një shoqëri mund të respektojë drejtësinë dhe njëkohësisht, të ruajë kujtesën e vet historike.

    Prandaj sot, nga vendi ku ndodhem, dua t’u them Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit: Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën. Nuk do ta harrojmë Kosovën e represionit dhe të dëbimeve. Nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën. Nuk do t’i harrojmë familjet që sakrifikuan gjithçka dhe nuk do ta harrojmë kontributin e atyre që morën përgjegjësi në luftë dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

    Unë mund të jem sot pas një dere të mbyllur, por pikërisht këtu kam kuptuar edhe më mirë diçka shumë të thjeshtë: liria është një nga ato fjalë, peshën e plotë të së cilës e kupton edhe më fort kur të mungon. Ndoshta prandaj sot e ndiej Kosovën edhe më afër. Sepse historia e saj na kujton se liria nuk bëhet e përjetshme vetëm sepse është fituar një herë. Ajo ruhet. Mbrohet. Kujtohet. Nderohet.

    Për ata që nuk arritën ta shihnin ditën e saj. Për familjet që paguan çmimin e saj. Për të gjithë ata që luftuan dhe punuan për të. Për Kosovën. Për lirinë. Për kujtesën tonë kombëtare. Ata duhet dhe do jenë nderi i kryeqytetit tonë, Tiranës.

    Erion Veliaj

    Kryetar i Bashkisë së Tiranës

    Dodë Gjergji pas vendimit të Hagës: Kosovës i duhet urtësi, bashkim dhe qëndrueshmëri

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 12:50

    Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gjergji përmes një deklarate ka thënë se vendimi ka shkaktuar “hidhërim të thellë dhe thartirë në shpirt”, duke e lidhur këtë moment me kujtesën historike të sakrificave të popullit të Kosovës për liri, gjuhën dhe dinjitetin.

    Ai ka bërë thirrje që dhimbja dhe zemërimi të mos errësojnë arsyen, duke kërkuar që reagimet të jenë të matura, paqësore dhe të përgjegjshme.

    “Zemërimi i një populli është i kuptueshëm vetëm atëherë kur shndërrohet në forcë për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë”, ka deklaruar Ipeshkvi.

    Sipas tij, përballë kësaj situate nevojitet bashkërendim institucional dhe përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe klasës politike të Kosovës.

    “Sot duhet të bashkohemi si komb: rreth të vërtetës, dinjitetit tonë dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ashtu që të ruhet pastërtia e përpjekjes së popullit tonë për liri, të forcojmë miqësitë me ata që na qëndruan pranë në ditët më të vështira dhe të rindërtojmë besimin e lënduar pas çlirimit”.

    ” Mbi gjitha të kujdesemi që këtë situatë ta përballojmë me pjekuri e dinjitet ashtu që zemërimi tepruar, hapat e nxituar ose veprimi i vonuar të mos e dëmtoj të ardhmen tonë”, thuhet në deklaratën e Gjergjit.

    Jospeh: Jam i habitur me lartësinë e dënimeve të Hagës, pozitive që u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 11:57

    Profesori amerikan, Edward Jospeh, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale është jashtëzakonisht shqetësues dhe sipas tij të krijon përshtypjen se ka hedhur në baltë gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve 90-tave.

    Ai ka thënë se gjyqtari do të duhej të merret parasysh praktikat e ndjekura nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe të ishte në dijeni për atë se çfarë krimet kanë kryer serbët.

    “Është për të ardhur keq, unë isha mjaftë i habitur me lartësinë e këtyre dënimeve”, ka thënë Joseph.

    Megjithatë ai e gjen si mjaftë pozitive faktin që gjykata nuk i gjeti fajtor asnjërin prej të akuzuarve për aktakuzën për krime kundër njerëzimit.

    “Kjo nuk është thjeshtë hollësi teknike. Krimet kundër njerëzimit janë shumë më serioze” ka deklaruar Joseph për Kallxo.com.

    Ai ka thënë se zyrtarët në Kosovë duhet ta përsërisin një gjë të tillë.

    Sonte nga ora 21:00 protesta e radhës në Prishtinë në mbështetje të krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 11:48

    Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një tjetër tubim në Prishtinë, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, platforma ka bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimin e sontëm në shesh.

    “Shihemi n’21:00 n’shesh!”, thuhet në njoftimin e “Liria ka Emër”.

    Tubimi vjen pas protestave dhe marshimeve të organizuara në Prishtinë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Më herët, më 12 shtator, “Liria ka Emër” kishte organizuar “Marshin për Liri” në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pas aktgjykimit janë zhvilluar edhe protesta të tjera në kryeqytet.

    Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u shpall nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator 2026. Protestuesit në Prishtinë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    Policia: Protestuesit mbrëmë rrezikuan pjesëmarrësit në trafik dhe veten

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 11:14

    Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për tubimin e mbrëmshëm të qytetarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së ku tha se situata ka qenë kryesisht e qetë dhe pa ndonjë incident të raportuar.

    Policia tha se me njësitë e saj ka menaxhuar me situatën e sigurisë dhe ka monitoruar situatën gjatë këtyre zhvillimeve, njëkohësisht ka kontrolluar edhe rrjedhën e trafikut në përgjithësi.

    “Situata ka qenë kryesisht e qetë, nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë”.

    Por, më pas, policia tha se pati defilime të rrezikshme me veturat, duke krijuar edhe kolona në trafik.

    “Rreth orës 23:30 pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen në mënyrë të qetë, mirëpo një numër i caktuar i tyre kanë vazhduar të zhvendosen në drejtim të bazës së EULEX-it, për të vazhduar me protestën para objektit të këtij institucioni. Pjesëmarrësit kanë qëndruar rreth 30 minuta pranë objektit të EULEX-it, dhe më pas janë nisur në drejtim të kryeqytetit, ku me automjetet e tyre kanë vazhduar të defilojnë nëpër disa rrugë të kryeqytetit. Defilimet e tyre me vetura përveç krijimit të kolonave në trafik, kanë kryer edhe vozitje të rrezikshme, madje edhe kanë shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por edhe për veten e tyre”.

    Policia e Kosovës tha se është detyruar që të ndërmarrë masa shtesë në trafik, të ndërpresë dhe riorientojë përkohësisht trafikun, me qëllim të mbarëvajtjes së sigurt të trafikut dhe shmangies se bllokimeve e aksidenteve të mundshme nga vozitjet e rrezikshme e të pakujdesshme, të cilat kanë zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.

    “Zyrtarët policorë do të vazhdojnë angazhimet e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe respektimin e të drejtës së qytetarëve të vendit për shprehjen e pakënaqësisë së tyre në mënyrë demokratike në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, por njëkohësisht do të ndërmarrë masa ndëshkuesve ndaj atyre që bien ndesh me ligjin dhe ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor”.

    Në fund, policia falënderoi qytetarët dhe bëri thirrje për kujdes për të mos e dëmtuar pronën publike dhe që të respektohen rregullat e komunikacionit.

    “Policia e Kosovës, FALËNDERON qytetarët për bashkëpunim in dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi ndaj policisë dhe njëkohësisht APELON që të kenë kujdes të shtuar, të mos dëmtojnë pronën publike e private, të respektojnë ligjet, e në veçanti rregullat në trafikun rrugor sepse është interes i sigurisë së përgjithshme”, njofton Policia.

    Demaku për Kurtin: Nuk i kaloi inatet e brendshme politike, dështoi ta mbronte UÇK-në

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 10:54

    Ish-luftëtari i UÇK-së dhe deputeti, Fadil Demaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar Qeverinë e Kosovës për dështim në mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe për mungesë të veprimeve konkrete lidhur me proceset në Hagë.

    Demaku tha se vendimi i Dhomave të Specializuara i ka shkaktuar, sipas tij, dëm të madh Kosovës.

    “Qeveria e Kosovës ka qenë krejtësisht e dështuar sa i përket kësaj çështjeje, sa i përket mbrojtjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Demaku në Klan Kosova.

    Ai kritikoi edhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke iu referuar deklarimeve të saj të mëhershme ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Demakut, Gërvalla nuk do të duhej të ishte emëruar në atë pozitë dhe pas zhvillimeve të fundit duhet të largohet nga detyra.

    Prokuroria e Hagës sqaron se kur përfundon mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 10:02

    Aktgjykimi dënues i 16 shtatorit i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u përball me kundërshti të mëdha në Kosovë, duke shtuar zërat për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Për këtë kërkesë për zhbërje, që u artikulua edhe dje në protestën në mbështetje të katërshes, ndryshe deklarohen nga Haga.

    Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Chris Bennett, tha se ky institucion nuk komenton ekzistencën apo hollësitë e ndonjë hetimi, apo se kur do të përfundojë mandati i saj.

    “Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, sqaron ai në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Duke e konsideruar si vendim të padrejtë dhe të pabazuar në fakte, disa deputetë të PDK’së në Kuvendin e Kosovës kërkuan të mbahet një seancë për zhbërjen e Speciales.

    Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, kur u pyet për mundësinë e zhbërjes e këtij institucioni, tha se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”.

    Altin Krasniqi: Kur të përfundojë dënimin 25-vjeçar, babai mund të mos jetë gjallë

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 9:22

    Altin Krasniqi tha se Jakup Krasniqi, 76 vjeç, mund të mos jetë gjallë kur të përfundojë dënimin 25-vjeçar të dhënë nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Ai e cilësoi mbështetjen e qytetarëve në protestë si një motiv të madh, ndërsa tha se populli i ka shpallur të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së.

    “Mbështetja në protestë është një motiv i madh. Populli i ka shpallur të pafajshëm dhe ata janë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Momenti i vendimit ka qenë shumë i rëndë. Babain e kam vizituar dhe ai ka një vullnet të fortë. Jam shumë krenar për të dhe ne ia kemi forcuar edhe mua”.

    Jemi krenarë për të gjithë secilin prej tyre. 25 vite janë një dënim shumë i rëndë. Babai është 76 vjeç dhe momenti kur i përfundon ky dënim mundet të mos jetë gjallë. Jemi krenarë për të, sepse kemi 20 vjet të lirë që mund të mos i kishim pa luftën e UÇK-së”, u shpreh Altin Krasniqi për EuroNews.

    Misetic i reagon Prelecit: Gjykata deklaroi se edhe mjetet për arritjen e pavarësisë ishin në masë të madhe kriminale

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 8:54

    Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq, tha se Trupi Gjykues vendosi që një pjesë e qëllimit të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe të tjerëve në lidershipin e UÇK ishte që pavarësia e Kosovës të arrihet nëpërmjet krimeve të luftës, duke shtuar se “kaq larg” nuk shkoi as Prokuroria.

    “Trupi Gjykues ka vendosur se një pjesë e qëllimit kriminal të anëtarëve të NPK’së dhe ‘të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së’ ishte arritja e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës. Madje edhe Prokuroria nuk shkoi kaq larg.

    Këtë deklaratë Misetic e bëri duke komentuar atë të Marko Pelecit, i cili është Grupit Ndërkombëtar të Krizave, që dje tha se reagimet në Kosovë i ngjasojnë shumë me ato që ishin bërë nga kroatët për rastet në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë.

    Prelec thotë se edhe në Kroaci por edhe në Kosovë e kanë gabim, meqë këto rast nuk kanë të bëjnë fare me legjitimitetin e luftës për pavarësi. Ai thotë se gjyqtari i Hagës Smith, e bëri të pamundurën për ta theksuar një gjë të tillë.

    Misetic i jep të drejtë Prelecit “pjesërisht” për këtë koment.

    “Pra, Marko Prelec ka pjesërisht të drejtë që gjykata nuk e deklaroi të paligjshme të drejtën e Kosovës për pavarësi (ajo nuk kishte juridiksion për ta bërë këtë), por gjykata deklaroi se mjetet e përdorura për të arritur pavarësinë e Kosovës ishin, në një masë të konsiderueshme, kriminale”.

    Poshtë këtij postimi në X, Prelec i komentoi sërisht Miseticit.

    “E drejta e Kosovës për pavarësi, ashtu si e drejta e Kroacisë, nuk është dhe nuk mund të jetë në bankën e të akuzuarve. Të veprosh sikur është, vetëm sa na bën të dukemi keq. FUND”.

    Ymeri thirrje PDK-së: Boria, bërtima e krismat nuk i shërbejnë qëllimit për drejtësi, riorientoni protestuesit

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 8:16

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka bërë thirrje për maturi dhe përdorim të rrugëve institucionale lidhur me protestat e fundit pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ymeri ka paralajmëruar se dhuna që mund të pasojë nga protestat nuk do të ishte e mirëpritur, duke theksuar se ajo nuk sjell rezultatet e kërkuara.

    “Dhuna që mund të pasojë nga protestat e fundit nuk do të jetë aspak e mirëpritur për askënd, pasi të gjithë e dimë se ajo nuk sjell rezultatet e kërkuara. Qasja e ndjekur nga protestuesit përmes turmave me bori, shllajfe, bërtima e krisma nuk i shërben qëllimit për drejtësi”, ka shkruar ajo.

    Deputetja e LDK-së ka kërkuar që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si partia e dytë më e madhe në Kuvend, të orientojë protestuesit drejt rendit dhe rrugëve institucionale.

    “PDK-ja, duke qenë edhe partia e dytë më e madhe në Kuvend, duhet të riorientojë protestuesit për rend edhe t’ju tregojë që kjo çështje nuk është trend i TikTokut, por gjëma më e madhe e shtetit tonë, me të cilën duhet të përballemi me maturi edhe të shfrytëzojmë mënyrat institucionale, duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ymeri.

    Ajo ka bërë thirrje për më shumë qartësi në kërkesat që u drejtohen institucioneve dhe në procesin që duhet ndjekur, veçanërisht në kohën kur pritej një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

    “Si deputete bëj thirrje për sa më shumë qartësi: si në kërkesat e drejtuara Kuvendit, ashtu edhe në procesin që duhet ndjekur”, ka shkruar Ymeri.

    Sipas saj, kjo qartësi është e domosdoshme para se protestat të marrin çfarëdo kahu që mund të çojë në kriza të reja institucionale.

    “Kjo qartësi është e domosdoshme para se protesta të marrë çfarëdo kahu e të na kthejë në kriza që ngadalësojnë për muaj e vite vendosjen e fatit të Kosovës dhe historinë e shtetit tonë”, ka përfunduar deputetja.

    Sot do të mbahen tubime në disa vende të diasporës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    19 Shtator 2026 | 7:56

    Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar për disa tubime në diasporë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së.

    Për sot janë paralajmëruar tubime në Zvicër, Gjermani e Kanada, ndërsa në Austri u paralajmërua për nesër.

    Këto tubime vijnë pas atyre të shumta që u mbajtën në vend pas vendimit dënues që iu shqiptuan Dhomat e Specializuara në Hagë ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Një protestë u mbajt dje në Prishtinë me mijëra pjesëmarrës, ndërsa tubim u organizua edhe në mbrëmje për të tretën natë radhazi.

    Më poshtë njoftimet për tubimet e planifikuara në diasporë:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!