Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për parashikimin e motit për ditët e ardhshme, ku pritet një javë me temperatura relativisht të larta, por edhe me reshje shiu e shkarkime rrufesh në disa zona.
Sipas IHMK-së, dita e hënë do të karakterizohet me mot me diell dhe vranësira të çrregullta. Gjatë ditës, vranësirat pritet të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 14 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 27 gradë.
Të martën do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona të kufizuara mund të ketë riga shiu. Temperaturat minimale parashihen nga 12 deri në 15 gradë, kurse maksimalet nga 25 deri në 30 gradë Celsius.
Të mërkurën pritet mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht në zonat malore. Temperaturat do të shënojnë rritje, me minimale nga 10 deri në 13 gradë dhe maksimale nga 29 deri në 32 gradë Celsius.
Edhe e enjtja pritet të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 15 gradë, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 29 deri në 33 gradë Celsius.