Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të marshojë sot nga Qendra e Studentëve drejt sheshit “Skënderbeu”, në shenjë proteste kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Marshi pritet të nisë në orën 11:30, nga Qendra e Studentëve në Prishtinë, ndërsa studentët do të vazhdojnë drejt qendrës së kryeqytetit.
Marshimi i studentëve zhvillohet në kohën kur protestat kundër aktgjykimit kanë hyrë në natën e pestë.
Mbrëmë, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu”, duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.
Në protestën e mbrëmshme morën pjesë edhe djemtë dhe familjarë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Nata e pestë e protestave nisi me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar, në të cilin ishte vendosur edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Liria ka emër”, ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan thirrje në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestat kanë nisur më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Idriz Rrecaj nga Llausha e Skënderajt është njëri prej tre viktimave të konfirmuara nga analizat e ADN-së të mbetjeve mortore të gjetura në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut në veri të vendit, pas 27 vjetësh.
Shpëtim Rraci, djali i Idriz Rrecajt, shkroi në një postim në Facebook se janë informuar zyrtarisht nga institucionet.
“Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, shkroi ai.
“Pyetjes “Ku është Idriz Rrecaj?” i erdhi fundi. Pas 27 vitesh, më në fund kemi përgjigjen që e kemi pritur për kaq gjatë”, shtoi Shpëtim Rraci
Ai ka shprehur “mirënjohje të thellë për të gjitha institucionet e shtetit dhe për çdo person që ka punuar ndër vite për zbardhjen e fatit të tij dhe të personave të zhdukur”.
“GJAKU NUK HUMB KURRË!”, shkroi djali i Idriz Rrecajt.
Idriz Rrecaj ishte në mesin e 23 burrave që u zhdukën në prill të vitit 1999.