Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me shqiptarët në Miçigan, ka komentuar edhe aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Rama ka thënë se, ndonëse shpesh përsëritet se vendimet e gjykatave duhet të respektohen, dënimi me gjithsej 81 vjet burgim i katër ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, përbën “një varrosje për së gjalli”.
Ai ka thënë se populli i Kosovës nuk e gjen veten në këtë vendim, i cili, sipas tij, është marrë në emër të popullit të Kosovës.
“Demokracia është një mosmarrëveshje që e përjashton urrejtjen, përballje që nënkupton respektin dhe luftë ku qëllimi nuk justifikon çdo mjet. Kjo është një rrugë më e gjatë, sepse nuk mjafton vetëm të jesh i lirë për të pasur një shoqëri ku demokracia funksionon për të gjithë.”
Rama ka treguar edhe për vështirësinë që, sipas tij, ka pasur për ta ndërtuar fjalimin pas vendimit të Hagës.
“Si rrallë herë jam përpëlitur sa këtë herë duke rreshtuar fjalët e një fjalimi, sepse as kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë, por edhe nuk gjeja rrugën se si të qasesha atij guri të madh e të rëndë, përballë të cilit fjalët duken të gjithë njësoj si në një mort.”
“Një mort për së gjalli, një varrosje njerëzish të gjallë dhe një pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare.”
Duke folur për thirrjet që vendimet e gjykatave duhet të respektohen, Rama ka thënë se kjo nuk e përjashton kundërshtimin ndaj një vendimi.
“Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh: respektoni vendimin e gjykatës. Ato duhen respektuar, shteti i së drejtës, bota demokratike funksionon me respekt mbi vendimet. Nuk diskutojmë këtë, por jo vendimin e gjykatës, po edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes.”
Rama ka thënë se çështja, sipas tij, nuk është vetëm respektimi i vendimit, por kundërshtimi i asaj që ai e cilësoi si “varrosje për së gjalli”.
“Problemi nuk është mos ta respektosh këtë vendim, por si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të 4 njerëzve në emër të popullit, ku vetë populli nuk e gjen asgjëkundi veten në atë vendim në gjuhë të huaj.”
Kryeministri shqiptar ka deklaruar se Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës, ndërsa ka thënë se respektimi i vendimit nuk e përjashton kundërshtimin ndaj tij përmes mjeteve të tjera.
“Shqipëria nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë do të refuzonte varrosjen për së gjalli të atyre 4 burrave.”
“Dhe unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si fatalitet pa apel.”