Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, në veçanti me Qeverinë dhe Kuvendin, për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Ambasada Amerikane ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve do të përqendrohet në çështje me rëndësi për Kosovën dhe rajonin, duke përfshirë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin.
“Ambasada e SHBA-ve pret me padurim të punojë me Qeverinë dhe Kuvendin për të avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Mesazhi i Ambasadës Amerikane vjen në një moment të rëndësishëm për institucionet e Kosovës, teksa pritet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para në këtë legjislaturë. Në këtë fazë pritet të hidhen hapat e parë për organizimin e punës së Kuvendit dhe funksionalizimin e strukturave të tij.
SHBA-të kanë qenë vazhdimisht të përfshira në mbështetjen e proceseve institucionale dhe të sigurisë në Kosovë, ndërsa partneriteti mes Prishtinës dhe Uashingtonit mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës.