Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së raportohet se kanë zhvilluar një takim të dielën mbrëma, një ditë para seancës së Kuvendit ku pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është parë duke dalë nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, pas një takimi me Kurtin. Edhe ky i fundit është parë duke dalë nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Por kur kanë ikur disa orë nga ky takim, ende as Kurti e as Hamza nuk janë bërë të “gjallë”, për të treguar se si ka shkuar takimi mes tyre dhe çfarë konkretisht kanë biseduar, shkruan Reporteri.net.
Sipas raportimeve në takimin mes Kurtit e Hamzës janë diskutuar tri çështje kryesore.
Një nga temat e diskutimit ka qenë deklarata që pritet të miratohet nesër nga Kuvendi lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Po ashtu, raportohet se kanë diskutuar për ndryshimet në Projektligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe për çështjen e presidentit të Kosovës. Por, ende asgjë nuk ka zyrtare.
Kujtojmë se PDK-ja ka proceduar në Kuvend edhe kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ende nuk dihet nëse kjo çështje do të përfshihet në rendin e ditës së seancës së nesërme.
Seanca e Kuvendit zhvillohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar me vonesë, ndërsa ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.
Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Seanca pritet të nisë nesër me fillim të orës 11:00. /Reporteri.net/.
