Dogana e Kosovës ka konfiskuar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare të dyshuara për kontrabandë gjatë një operacioni në disa hapësira depoje në Prizren.

Sipas Doganës, njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë kanë ndërmarrë aksionin bazuar në informacione të siguruara nga terreni.

Gjatë kontrollit janë gjetur 791 kilogramë duhan i grirë i paketuar dhe 85 kilogramë duhan i grirë i papaketuar.

Reklamë

Po ashtu, janë sekuestruar 21 mijë cigare të markës “Marble” pa banderolë, si dhe 97 mijë cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por pa banderolë të Republikës së Kosovës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Doganës së Kosovës dhe prokurori kujdestar.

Personi përgjegjës për hapësirat ku është gjetur malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Mallrat e konfiskuara janë dërguar për ruajtje nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti po hetohet në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur vlerën e saktë të mallit të konfiskuar apo detaje të tjera rreth hetimeve.

Reklamë