Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, nuk ka arritur të fitojë më shumë se pikë ndaj Izraelit në Debrecen të Hungarisë.
Ndeshja Izrael – Kosovë u zhvillua të enjten mbrëma dhe i takoi Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Kosova pati pak raste shënimi gjatë 90 minutave në ndeshjen që kishte numër të kufizuar shikuesish.
Ndër më të mirët te Kosova ishte portieri Amir Shaipi. Ai bëri disa pritje, sidomos në pjesën e parë.
Ndonëse kishte iniciativën, Izraeli në minutën e 31-të rrezikoi portën e Kosovës. Por Shaipi ishte në vendin e duhur në dy raste.
Pesë minuta më vonë, Kosova pati rast të mirë shënimi. Gjuajtja e Lumbardh Dellovës nga distanca u prit nga portieri i Izraelit.
Kosova e nisi furishëm edhe pjesnë e dytë. Rastin e parë e pati në minutën e 52-të, Muharrem Jashari. Por gjuajtja e tij u prit nga portieri izraelit.
Tre minuta më vonë, portieri i Kosovës, Shaipi, bëri një tjetër pritje. Ai ndali gjuajtjen e fortë të lojtarit kundërshtar.
Më pas Kosova bëri disa zëvendësime.
Në minutën e 58-të në fushë janë inkuadruar Leon Avdullahu, Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni, ndërsa kanë dalë nga fusha Muharrem Jashari, Milot Avdyli dhe Dion Kaçuri. Për Kaçurin ishte debutim te Kosova.
Më pas përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda bëri një tjetër zëvendësim. Në fushë inkuadroi Milot Rashicën në vend të Albion Rrahmanit.
Zëvendësimin e fundit e bëri në minutën e 77-të. Në vend të Valmir Matoshit u inkuadrua Edon Zhegrova, i cili në fund të takimit tentoi, por pa arritur të realizojë gol.
Kosova është në vendin e dytë me katër pikë. Katër pikë i ka edhe Irlanda, kurse Austria është lidere me shtatë pikë.
Izraeli është i fundit me një pikë.