Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas përfundimit të suksesshëm të edicionit të Ligës së Kombeve për Shqipërinë, duke uruar Kombëtaren për fitimin e grupit dhe promovimin në Ligën B.
Ai përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar paraqitjet e futbollistëve dhe punën e stafit teknik, duke theksuar se Shqipëria ka treguar karakter dhe përkushtim gjatë këtij edicioni.
Duka ka veçuar përmirësimin e skuadrës në krahasim me paraqitjet e qershorit, ndërsa humbjen në Helsinki ndaj Finlandës e ka cilësuar të pamerituar.
Postimi i tij i plotë:
Sonte duhet vetëm të festojmë! 🇦🇱
Një edicion fantastik i Nations League! Me përjashtim të humbjes në Helsinki, që për mua ishte e pamerituar, dua të falënderoj dhe të uroj çunat për paraqitjet e tyre, për karakterin e treguar në çdo sfidë, për dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar, për dashurinë ndaj fanellës kuqezi dhe për përkushtimin nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit.
Një falënderim dhe urim i veçantë edhe për stafin teknik, për përkushtimin dhe punën e bërë, që u reflektua në një Kombëtare më të fortë, më bindëse dhe me rezultate krejt të tjera nga ato të qershorit. Nga kjo skuadër presim të njëjtin karakter, të njëjtën dëshirë dhe të tjera suksese në vazhdim.
Sonte duhet vetëm të festojmë! Vendin e parë në grup, kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Kombeve, ngjitjen në Ligën B dhe një rekord të ri për Kombëtaren tonë: 15 pikë të grumbulluara dhe plot 12 gola të shënuar në një edicion të Ligës së Kombeve!
Urime Shqipëri, urime shqiptarë! Sonte duhet vetëm të festojmë!