×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus
    INSTANT

    Nesër protestë në Malmo në mbështetje të çlirimtarëve

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 15:39

    Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar se nesër, më 3 tetor, në Malmo do të mbahet protestë në mbështetje të çlirimtarëve.

    Protesta do të nisë nga ora 14:00, ndërsa në të pritet të marrin pjesë bashkatdhetarë që jetojnë në Malmo dhe rrethinë.

    Organizatorët u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve t’i bashkohen protestës dhe të protestojnë në mënyrë paqësore dhe me dinjitet.

    Thirrja është bërë me motot “Jo në emrin tim” dhe “Liria Ka Emër”.

    Çitaku i kundërpërgjigjet Haxhiut: UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 14:12

    Sekretarja dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur ushtrueses së detyrës së prpesidentes dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së saj se zgjedhja e presidentit është më e rëndësishme sesa votimi i ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet!”, ka shkruar Çitaku, duke theksuar se prioritetet i përcakton populli.

    “Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në”, ka shtuar ajo.

    Çitaku ka kërkuar që institucionet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe që ligji të sillet në Kuvend e të votohet pa vonesë.

    “Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit!”, ka deklaruar ajo, duke e përmbyllur reagimin me thirrjen “JO NË EMRIN TIM!”.

    Haxhiu: Më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin se sa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 14:10

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të jetë prioritet dhe se kjo çështje nuk duhet të kushtëzohet me votimin e ndryshimeve ligjore të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara.

    Haxhiu ka thënë se nuk është për “pazare” lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke u bërë thirrje partive politike që të ulen dhe të diskutojnë për prioritetet.

    “Unë nuk jam që të bëhen pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se pas zgjedhjes së presidentit do të mund të trajtohet edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët”, ka thënë Haxhiu.

    Sipas saj, institucionet duhet të punojnë në një strategji të përbashkët, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.

    “Për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, është shprehur ajo.

    Haxhiu ka theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë “prioritet mbi prioritetet”, duke argumentuar se dërgimi i vendit në zgjedhje do ta rikthente sërish në të njëjtën situatë.

    “Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka shtuar se edhe pas zgjedhjeve mund të rikthehet çështja e zgjedhjes së presidentit.

    “Sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë të na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, ka thënë Haxhiu.

    Kurti e Hamza takohen sot, pritet të diskutojnë për Specialen dhe Presidentin

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:47

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të takohet sot me kryeministrin Albin Kurti, ku në fokus pritet të jetë edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se takimi mes Hamzës dhe Kurtit pritet të zhvillohet sot në orën 16:30.

    Sipas këtyre burimeve, Hamza do të kërkojë sërish përgjigje nga Kurti lidhur me qëndrimin e Qeverisë për projektligjin për Specialen.

    Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria pritet që brenda kësaj jave ta procedojë në Kuvend opinionin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Pas kryeministrit Kurti, Qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, i ka 30 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se, bazuar në komunikimet e deritanishme, Qeveria po bën përpjekje që opinioni t’i dërgohet Kuvendit brenda kësaj jave.

    “Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

    Sipas saj, pas procedimit të opinionit do të hapet rruga për trajtimin e nismës në komisionet përkatëse parlamentare.

    “Dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për Legjislacion dhe komisionet tjera”, ka deklaruar Haxhiu.

    Aktualisht, Qeveria është në pritje të një opinioni ligjor nga Ministria e Drejtësisë lidhur me ndryshimet e propozuara. Krahas kësaj, Kurti dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur edhe konsultimet me ekipet e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Ndërkohë, Kurti sot nuk ka folur për projektligjin për Specialen. Ai ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    Kurti ka thënë se kjo fundjavë do të jetë vendimtare dhe se synimi është që javën e ardhshme Kosova ta ketë presidentin e ri.

    “Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje që javën e ardhshme të kemi president”, ka deklaruar Kurti.

    “Jo në emrin tim” aksion para Minstrisë së Drejtësisë, thirrje Gërvallës: Voto Ligjin, koha e arsyetimeve ka mbaruar

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:29

    Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë realizuar sot një aksion para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

    Pas aksionit, aktivisti dhe protestuesi Rron Kafegjolli tha se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji dhe se vonesat janë të papranueshme.

    “Jemi këtu sot, para Ministrisë së Drejtësisë, sepse koha e arsyetimeve ka skaduar”, deklaroi ai.

    Kafegjolli tha se, sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.

    “Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

    Ai kritikoi ministren Gërvalla dhe ministrin Murati, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

    “Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt!”, tha Kafegjolli.

    Duke përmendur afrimin e 6 tetorit, ai i bëri thirrje Qeverisë të mos e zvarrisë më tej ligjin.

    “Qeveria duhet ta dijë se rinia po i vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë!”, deklaroi ai.

    Kafegjolli e përmbylli fjalimin me kërkesën që Qeveria ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe “të rreshtohet në anën e drejtë të historisë”.

    “Prioritet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara”, deputetët e PDK-së sërish lëshojnë mbledhjen e një komisioni parlamentar

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:13

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kërkuar që prioritet i Kuvendit të jetë shqyrtimi i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Musliu ka thënë se, ndonëse kishte marrë pjesë në mbledhje për të konfirmuar konstituimin e komisionit, në situatën aktuale nuk mund të vazhdohet me punë rutinore të Kuvendit.

    “Vërtet sot jam këtu vetëm për të konfirmuar konstituimin e këtij komisioni dhe për t’i bërë funksional të gjithë trupat e Kuvendit që i duhen për të funksionuar një Kuvend normal, por sot, dje, e po shpresoj që nesër do të kemi një ditë tjetër, nuk mund të sillemi normal dhe të mbajmë rend dite e procesverbale të zakonshme, sikur gjithçka po funksionon normalisht”, ka deklaruar Musliu.

    Ajo ka thënë se Kuvendi nuk duhet të jetë indiferent ndaj kërkesave të qytetarëve dhe se, sipas saj, nuk duhet të ketë prioritet tjetër para ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë që ky Kuvend të mos ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Musliu.

    Musliu ka kërkuar gjithashtu unitet të deputetëve për këtë çështje.

    “Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë”, është shprehur ajo.

    Ndërkaq, deputeti Fadil Demaku ka thënë se projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë “prioriteti numër një” i Kuvendit.

    “Vetëm dua të konfirmoj atë që tha kolegia Ganimete Musliu, se prioritet për Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është projektligji për Dhomat e Specializuara. Unë mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të gjejnë sa më shpejt një unifikim të përbashkët dhe krejt potencialin tonë në këto ditë ta vënë në shërbim të këtij projektligji”, ka deklaruar Demaku.

    Ai ka thënë se çështjet e tjera mund të presin, ndërsa ka kërkuar që ndryshimi i ligjit të trajtohet me urgjencë.

    “Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin”, ka thënë Demaku.

     

    Ndryshimi i Ligjit për Specialen, Haxhiu: Qeveria do ta procedojë opinionin këtë javë

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:07

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria pritet ta procedojë brenda kësaj jave opinionin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Haxhiu ka thënë se Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, ka në dispozicion 30 ditë për ta dërguar opinionin në Kuvend.

    “Sipas kryeministrit Kurti, Qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, i ka 30 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka bërë të ditur se, bazuar në komunikimet e deritanishme, Qeveria po bën përpjekje maksimale që opinioni t’i dërgohet Kuvendit brenda kësaj jave.

    “Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

    Sipas Haxhiut, pas dërgimit të opinionit, nisma do të mund të trajtohet në komisionet përkatëse parlamentare, përfshirë Komisionin për Legjislacion.

    “Dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për Legjislacion dhe komisionet tjera”, ka deklaruar Haxhiu./Reporteri.net/

    Ndryshon orari i protestës “Jo në emrin tim” – vazhdon për të 17-tën natë në sheshin “Skënderbeu”

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 11:32

    Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka njoftuar se protesta do të vazhdojë sonte për të 17-tën natë me radhë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me një ndryshim të orarit.

    Përmes një postimi, Haziri ka bërë të ditur se, duke filluar nga sonte, protesta do të nisë në orën 19:00.

    “KUJDES – NGA SONTE NDRYSHON ORARI! ORA 19:00. Sheshi ‘Skënderbeu’”, ka shkruar ai.

    Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen sërish në protestë.

    “17 net rresht. Për UÇK-në. Për drejtësi. Shihemi sonte në ora 19:00!”, ka shkruar Haziri.

    Associated Press për protestën e djeshme kundër Speciales: Më e madhja mbarëkombëtare deri më tani

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 10:38

    Protesta e djeshme kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha botërore.

    Për këtë ngjarja ka shkruar edhe agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve Associated Press (AP).

    Sipas raportimit të AP-së, protestat kanë ardhur pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantë të tjerë të UÇK-së për krime lufte të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Duke treguar për dënimin e marr nga katërshja e UÇK-së, AP ka raportuar se dënimi ka shkaktuar protesta të përditshme në Kosovë, ndërsa autoritetet dhe një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare i kanë kundërshtuar ato.

    Sipas kësaj media, Kosova i ka cilësuar vendimet si të padrejta, duke argumentuar se UÇK-ja luftoi kundër shtypjes serbe. Në vend ka shqetësime se aktgjykimet mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet lufta për pavarësinë e Kosovës.

    Djali i Thaçit falënderon marshuesit: Prania e juaj dëshmoi se zëri dhe e vërteta e një populli nuk mund të burgosen

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 10:17

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestës së mbajtur në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Përmes një postimi në “InstaStory”, ai ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen, duke thënë se prania e tyre tregon se “e vërteta e një populli nuk mund të burgoset”.

    Në reagimin e tij, Thaçi ka theksuar se për popullin, drejtësia lidhet me “pafajësinë dhe lirinë”, duke bërë thirrje që kjo çështje të mos ndalet.

    “Për ne, drejtësia ka vetëm dy fjalë: Pafajësi dhe liri dhe nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë atë! UÇK”, ka shkruar ai.

    BE-ja për protestat në Kosovë pas aktgjykimit në Hagë: Demonstratat paqësore janë e drejtë themelore

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 8:38

    Bashkimi Evropian ka komentuar protestat e zhvilluara në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se demonstratat paqësore janë pjesë e të drejtave themelore në një shoqëri demokratike.

    Në një përgjigje për Front Online, një zëdhënës i BE-së tha se institucioni evropian po e përcjell nga afër situatën në Kosovë.

    “Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë situatën në vend.

    “Ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën”, thuhet më tej në përgjigjen e zëdhënësit evropian.

    Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me protestat e zhvilluara para zyrave të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, BE-ja ka dhënë edhe një sqarim për funksionimin e këtij misioni.

    “Për informacionin tuaj, mund të konfirmojmë gjithashtu se EULEX-i është plotësisht funksional”, thuhet në përgjigje.

    Reagimi i BE-së vjen pas protestave dhe zhvillimeve në Kosovë që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë. Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për vepra penale të luftës.

    Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

    “Jo në emrin tim” vazhdon protestën, qytetarët mblidhen sonte në shesh për të 17-tën natë radhazi

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 8:25

    Iniciativa “JO NË EMRIN TIM” pritet të vazhdojë edhe sonte protestën kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së.

    Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 21:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Kjo do të jetë dita e 17-të e protestës.

    Kujtojmë që dje është mbajtur marshi në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

    Fatmir Brajshori mohon konfliktin Thaçi-Allaqi: Në mbledhjet e LPK-së ka pas demokraci të brendshme

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 22:03

    Anëtari i LPK-së, Fatmir Brajshori, ka kundërshtuar pretendimet se ndërmjet Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit ka pasur konflikt, duke thënë se në mbledhjet e LPK-së ka pasur debate dhe polemika, por jo konflikte.

    Duke folur në Debat Plus, Brajshori ka bërë dallimin mes debatit, polemikës dhe konfliktit, duke thënë se në LPK ka pasur demokraci të brendshme dhe diskutime të shumta.

    “Nuk ka pas. Duhet të sqarohen disa gjëra. Tjetër është konflikti, tjetër është debati dhe polemika. Në mbledhjet e LPK-së, se ka pas demokraci të brendshme, ne kemi pas gjithmonë debate, polemika, por as edhe njëherë konflikte. Asnjëherë nuk ka pas konflikte”, ka deklaruar Brajshori.

    Ai ka thënë se LPK-ja, në njëfarë forme, kishte funksionuar edhe si një hapësirë ku zhvilloheshin diskutime dhe debate të brendshme.

    “Unë them që LPK-ja në njëfarë forme ka qenë një lloj akademie”, ka thënë ai.

    Brajshori ka mohuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se ka pasur konflikt ndërmjet Thaçit dhe Allaqit.

    “Nuk ka pas konflikt mes Thaçit dhe Allaqit as edhe njëherë”, është shprehur ai.

    Sipas Brajshorit, Thaçi në mbledhjet e LPK-së ishte ndër anëtarët më të matur dhe më të qetë.

    “E them me bindje të plotë që Thaçi ka qenë më i urti dhe më i maturi në mbledhjet tona, nuk ka ditur ta fyejë askënd”, ka deklaruar Brajshori.

    Pak orë pas protestës, objekti i Qeverisë ndriçohet me flamurin e UÇK-së

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 20:22

    Të enjten në Prishtinë është mbajtur një protestë masive kundër verdiktit të Gjykatës Speciale që dënoi me burgim ish-krerët e UÇK-së. Pak orë pas, objekti i Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me flamurin e UÇK-së.

    Fotografia nga oborri i Qeverisë së Kosovës është publikuar asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berita Abazi, që është edhe këshilltare politike e kryeparlamentares Albulena Haxhiu.

    Vendosja e flamurit vjen në një kohë kur në Kosovë po zhvillohen aktivitete dhe protesta në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ndërsa, PDK-ja po kërkon nga Qeveria ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

    Wesley Clark “shpërthen” ndaj Gjykatës Speciale: Mjaft më, ktheni Thaçin dhe të tjerët në Kosovë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 20:09

    Ish-gjenerali Wesley Clark, ka kërkuar që Hashim Thaçi dhe të tjerët të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

    Ai tha se Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, ndërsa theksoi se, sipas tij, Hashim Thaçi është “viktimë” e një procesi të gabuar.

    “Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim”, u shpreh Clark.

    Ish-gjenerali amerikan tha gjithashtu se kishte kërkuar prova lidhur me akuzat ndaj Thaçit, por sipas tij, nuk kishte parë prova të tilla.

    Clark iu referua edhe periudhës së luftës në Kosovë, duke theksuar se në atë kohë, sipas tij, kishte prova për veprime vrastare të Ish-Jugosllavisë dhe se autoritetet kishin ndërmarrë hapa ndaj personave të dyshuar për krime lufte.

    Ai theksoi se Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi ishte më i drejtë se Gjykata Speciale, pasi sipas tij, vendimet e saj bazoheshin në prova reale.

    “Europa duhet të respektojë popullin e Kosovës, që luftuan për parimet. Millosheviçi ka qenë përgjegjës. Ai ishte një person që donte të promovonte spastrimin etnik. Hashim Thaçi është viktimë dhe kjo është gabim. Unë kam kërkuar provat, dhe nuk kishte prova. Të paktën në dijeninë time.

    Mendoj se ishte, sepse në atë kohë kishte prova të vërteta për veprimet e gabuara që u bënë. Ne parashtruan informacione në atë kohë. Arrestuan disa kriminelë lufte. Mendoj se gjykata ka marrë fund. Le të rikthejmë Hashim Thaçin dhe të tjerët në Kosovë, dhe të kthehen në jetën e tyre. Të ecim përpara. Hashim Thaçi ka kaluar 5 vite në paraburgim. Mjaft me kaq“, tha ai, në Klan News.

    I pyetur nëse do ishte gati për të dëshmuar në Apel në favor të ish-krerëve të UÇK-së, ish-gjenerali dha këtë përgjigje:

    “Do e vlerësoja shumë nëse do më ftonin për të shpjeguar se çfarë ndodhi“, tha ai.

    Protesta në Prishtinë përfundon e qetë dhe pa incidente

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 18:47

    Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e mbajtur të enjten në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka përfunduar në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

    Sipas Policisë, për mbarëvajtjen e protestës janë ndërmarrë masat e nevojshme policore, me qëllim ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë.

    Protesta ka përfunduar rreth orës 17:50.

    Policia ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarët pjesëmarrës për, siç ka thënë, “qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore” të treguar gjatë protestës.

    Në veçanti, Policia ka vlerësuar respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë, përfshirë ato që lidhen me qarkullimin në trafikun rrugor.

    “Protestimi në mënyrë të qetë, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të protestës paqësore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Hamza ndan pamjet e protestës të filmuara nga droni: Populli nuk e pranon padrejtësinë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 18:11

    Sot në Prishtinë, është zhvilluar një protestë masive kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale.

    Pamje nga kjo protestë ka ndarë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

    “Populli i Kosovës nuk e pranon padrejtësinë. Jo në emrin tim! Jo në emrin tonë!”, ka shkruar Hamza.

    Protestuesit e varin e një uniformë të UÇK-së në hyrje të Qeverisë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 18:03

    Mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë.

    Disa prej tyre që u lejuan t’i fusin në Qeveri për t’i dorëzuar 120 pako me projektligjin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, një tjetër e la edhe një porosi tjetër: uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të varur skaj hyrjes kryesore të Qeverisë.

    Qytetarë të shumtë po protestojnë çdo natë në Prishtinë, që prej 16 shtatorit, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

    Jashtë gjykatës në Hagë dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ishin mbledhur qindra njerëz për ta pritur vendimin, ata mbetën heronj luftës së përgjkshme për pavarësinë e vendit.

    Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, është njëra nga kërkesat e protestave të vazhdueshme.

    Protesta në mbrojtje të çlirimtarëve, shpërthen në lot polici i Kosovës

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:57

    Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën e sotme në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Fjalimet e pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të tyre sollën emocione të forta te të pranishmit.

    Mes tyre, nuk i përmbajti dot lotët as një pjesëtar i Policisë së Kosovës që po kujdesej për rendin gjatë protestës. Ai u pa duke qarë për disa momente, i prekur nga fjalimet në shesh.

    Kryhet protesta masive, fëmijët e dëshmorëve i çojnë në Qeveri pakot me projektligjin e Speciales brenda

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:48

    Tashmë ka përfunduar protesta në Prishtinë, e zhvilluar kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK’së, nga Gjykata Speciale.

    Pas përfundimit të saj, protestuesit kanë dorëzuar 120 pako të cilat mbajnë projektligjin për ndryshimin e ligjit të Speciales.

    Nga pamjet shihet teksa pakot dërgohen në Qeveri, nga Çlirim Haziri, dhe fëmijët e dëshmorëve.

    Pankarta e një qytetari në protestë: Kryegjykatësi Charles Smith nën siluetën e Albin Kurtit, me çekiç të BE-së në dorë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:33

    Një qytetar është shfaqur me një pankartë me një karikaturë të kryetarit të Trupit Gjykues, Charles Smith, i cili më 16 shtator shpalli aktgjykimin dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Smith paraqitet i veshur me togën e gjyqtarit, me çekiç në dorë ku shkruan “BE”, në protestën që po mbahet në Prishtinë për të kundërshtuar këtë dënim.

    Në plan të parë shihen dy protestues ndërsa në pankartë a anash tij shfaqet silueta e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.

    Qytetarë të shumtë po protestojnë çdo natë në Prishtinë, që prej 16 shtatorit, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

    Jashtë gjykatës në Hagë dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ishin mbledhur qindra njerëz për ta pritur vendimin, ata mbetën heronj luftës së përgjkshme për pavarësinë e vendit.

    Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, është njëra nga kërkesat e protestave të vazhdueshme.

    Çlirim Haziri në protestën në shesh: Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:29

    Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, në protestën masive të sotme në Prishtinë, ka kërkuar drejtësi të bazuar në prova dhe veprime konkrete institucionale për mbrojtjen e UÇK-së. Në fjalimin e tij, Haziri iu drejtua veçanërisht rinisë, ndërsa kujtoi babain e tij, Xhavit Hazirin, i cili mungon që nga viti 1998 dhe për fatin e të cilit familja ende pret përgjigje.

    “Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem! Hallall ju qoftë! Sepse kur ju shoh të lirë, në këmbë, duke mos harruar prej nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton te ju”, tha Haziri.

    Ai theksoi se data e protestës, 1 tetori, ishte zgjedhur për të kujtuar qëndresën e studentëve që, 29 vjet më parë, dolën në rrugë për universitetin, dinjitetin dhe lirinë.

    “Sepse mund ta ndalësh një marsh, por nuk mund ta ndalësh një popull kur vendos të ngrihet! 29 vjet më vonë, ne jemi përsëri në këto rrugë. Në një Kosovë tjetër. Në një Kosovë të lirë. Për një arsye tjetër. Por me një përgjegjësi që nuk ka ndryshuar: të mos heshtim!”, u shpreh ai.

    Duke iu drejtuar brezit të pasluftës, Haziri tha se liria që gëzon sot rinia lidhet me sakrificën e familjeve të saj.

    “Ju nuk e keni parë luftën me sytë tuaj, por jeni rritur me lirinë që doli prej saj. Në shumë prej shtëpive tuaja, historia nuk është fotografi në libër. Është fotografi në mur!”, tha ai.

    Një pjesë të fjalimit, Haziri ia kushtoi mungesës së babait dhe dhimbjes së familjeve që ende presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.

    “Për shumë prej jush, Xhavit Haziri është Hero i Kombit. Për mua, është babai im. Babai që mungon që nga viti 1998. Babai të cilit ende nuk ia di varrin ku mund t’ia vendos një lule”, deklaroi ai.

    “Kur e dëgjoj fjalën UÇK, shoh babain tim. Shoh shokët e tij. Shoh nënat që pritën. Shoh fëmijët që u rritën pa baballarë. Shoh varret e dëshmorëve. Shoh gjyshen time Fahrijen që ende pret një lajm për djalin e saj. Dhe shoh edhe varret që ende mungojnë”, shtoi Haziri.

    Duke folur për procesin në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ai kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet përgjegjësia e udhëheqësve të UÇK-së. Haziri theksoi se protesta nuk synon të mbulojë krimet individuale.

    “Ne nuk jemi në këtë shesh për t’ia mbuluar krimet individuale askujt! Kush ka bërë krim, le të përgjigjet! Por nuk lejojmë askënd që t’i fshehë krimet e vërteta të të tjerëve, duke ua hedhur barrën në supe udhëheqësve të UÇK-së!”, tha ai.

    Haziri kërkoi që drejtësia të mbështetet në prova, ligj dhe standarde të barabarta, ndërsa përsëriti kërkesën për miratimin e ligjit.

    “Ne jemi këtu për drejtësi të drejtë! Për drejtësi që bazohet në prova, në ligj dhe në standarde të barabarta — jo në politikë! Për ta bërë atë ligj realitet! Për ta mbrojtur UÇK-në me shtet e me vepra, jo me fjalë!”, deklaroi ai.

    “Marshi ynë nuk është ikje nga drejtësia, por mburojë e të vërtetës nga gënjeshtrat!”, shtoi Haziri.

    Ai tha se historia e luftës dhe e sakrificës për liri u përket të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    “Kjo është historia jonë! Nuk është historia e një krahine. Nuk është historia e një partie. Është historia e një populli të tërë!”, u shpreh ai.

    Duke folur edhe si baba i dy fëmijëve, Epirit dhe Krenës, Haziri ngriti pyetjen se çfarë përgjigjeje do t’i japë brezit të ardhshëm për angazhimin e tij sot.

    “Çka t’ju them kur një ditë të rriten, të më dalin përballë, të më shikojnë në sy dhe të më pyesin: ‘Çka bëre ti, babë, kur u prek gjaku i dëshmorëve? Çka bëre ti, babë, kur njerëzit e UÇK-së u dënuan në Hagë? Ku ishe ti, babë?’”, tha ai.

    Sipas Hazirit, qëllimi i protestës është arritja e rezultateve konkrete.

    “Qëllimi ynë nuk është t’ia bëjmë një alibi vetes! […] Babai juaj nuk doli në shesh vetëm për të protestuar. Babai juaj, bashkë me popullin e Kosovës, dolën, marshuan dhe fituan!”, u shpreh ai, duke treguar përgjigjen që dëshiron t’u japë fëmijëve të tij në të ardhmen.

    Në përfundim, Haziri iu drejtua simbolikisht babait të tij, duke e mbyllur fjalimin me mesazhin:

    “Babë, gjithë jetën jam rritur me mungesën tënde. […] Sot jam bërë vetë baba. Dhe sot e di sa e rëndë duhet të ketë qenë të lësh fëmijën tënd pas, për një liri që nuk e dije nëse do ta jetoje ndonjëherë. E nuk e jetove kurrë. Prandaj sot, para gjithë këtyre njerëzve, kam vetëm një gjë për të të thënë: Babë, më mirë pa ty, se pa atdhe!”

    “Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kosova nuk harron! Jo në emrin tim!”, përfundoi Haziri.

    Haradinaj thërret për bashkim: Ndërkombëtarët na kanë tradhtuar

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:20

    Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka bërë thirrje për bashkim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa kritikoi ndërkombëtarët për mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar rastet që lidhen me luftën e UÇK-së.

    Haradinaj ka mbajtur fjalim para protestuesve në sheshin e Prishtinës, ku kërkoi drejtësi dhe zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës.

    Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai kërkoi nga ta që të bashkohen dhe të marrin përgjegjësi.

    “Ju 100 deputetët që jeni atje, të 100-tit, secili me përgjegjësinë e vet dhe me peshën që ka kërkuar vetë me u ngarku, qoftë të votës, qoftë të premtimeve, ju thërrasim për bashkim! Bashkim! Bashkim!”, tha Haradinaj.

    Ai pati mesazh edhe për komunitetin ndërkombëtar, duke thënë se besimi ndaj tyre ishte ndërtuar mbi mbështetjen që, sipas tij, i ishte dhënë luftës së UÇK-së.

    “Ndërkombëtarët, që ju besuam sepse i patëm bindur të na ndihmojnë në luftën e UÇK-së dhe bashkë të fitojmë. Ata u ndanë pa viktima sepse ne na kishin këtu. Ata morën mburrjen, ne morëm lirinë. Por tani ju themi: Na keni tradhtuar dhe na ktheni besimin!”, deklaroi ai.

    Haradinaj tha se kërkesa e protestuesve është për drejtësi dhe zbulimin e krimeve, duke kundërshtuar atë që e cilësoi si keqpërdorim të rasteve.

    “Ne kërkojmë vetëm drejtësi! Drejtësi dhe zbulim të krimeve patjetër, sepse shumë herë po mundohen ta keqpërdorin. Kosova ka ngritur institucione, ka njerëz profesionalisht që drejtësinë ta çojnë në vend”, u shpreh Haradinaj.

    Ai kritikoi gjithashtu trajtimin e rasteve që lidhen me viktimat e luftës, duke thënë se nuk pranon që masakrat dhe viktimat civile të trajtohen si raste individuale.

    “Ndërkombëtarë nuk mund të mashtroni se janë raste individuale. Nuk pranojmë të ofendohen 400 të ekzekutuarit në masakra, nuk pranojmë të ofendohen fëmijët tanë, nuk pranojmë të ofendohet gjaku ynë!”, tha Haradinaj.

    Në fund të fjalimit, ai bëri thirrje për unitet rreth UÇK-së dhe iu drejtua ish-pjesëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

    “Rroftë UÇK-ja! Nga sot e tutje, të gjithë UÇK! Lavdi dhe shokëve atje në Hagë ju përshëndes! Nasimi, që ju jeni në Hagë e këta këtu, ose do t’ju sjellim juve këtu, ose do të vijmë atje! Rroftë UÇK-ja”, përfundoi Haradinaj.

    Mavraj i demonstratave të para luftës: Më 1 tetor ’97 e bëmë bashkë popullin, edhe tash do të dalim përmbi fe e përmbi parti

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:09

    Gazetari Muhamet Mavraj, njëri prej organizatorëve të lëvizjes studentore që kishte organizuar demostratat ikonike të 1 tetorit të vitit 1997, doli sot para qytetarëve të mbledhur në sheshet e Prishtinës në protestën kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Mavraj tha se “pa arsimin shqiptar dhe pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kurrë s’do të bëheshim shtet”.

    “Më 1 nëntor 1997, i tërë kombi, të gjitha rrymat, të majtë e të djathtë, dashamirë e jo dashamirë, mësues, arsimtarë, profesorë e dekanë, mbarë popullin e bëmë bashkë sepse dolëm mbi dallimet tona. Dhe ishin shumë, e jo pak. Po kështu, sa herë që kombi është në rrezik, do të dalim përmbi fe e përmbi parti, sepse më të parën parti e kemi Shqiptarinë dhe më të parën fe e kemi Shqiptarinë”, tha ai.

    Mavraj tha se një milion shqiptarë ishin “në këmbë atë ditë”.

    Qytetarë të shumtë po protestojnë çdo natë në Prishtinë, që prej 16 shtatorit, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

    Jashtë gjykatës në Hagë dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ishin mbledhur qindra njerëz për ta pritur vendimin atë ditë, ata mbetën heronj luftës së përgjkshme për pavarësinë e vendit.

    Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, është njëra nga kërkesat e protestave të vazhdueshme.

    Moment simbolik në protestën në Prishtinë, protestuesit lëshojnë pëllumba të bardhë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:04

    Sot, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po zhvillohet një protestë e madhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gjatë protestës është shënuar edhe një moment i veçantë dhe simbolik.

    Disa nga protestuesit kanë lëshuar pëllumba të bardhë në qiell, duke krijuar një pamje që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve./Klankosova

    Ilir Shaqiri ndan tekstin e këngës “Jo në emrin tim”: S’ka as ditë të mbarë pa u kthy n’atdhe trimat çlirimtarë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 17:00

    Këngëtari Ilir Shaqiri ka publikuar një tekst të ri me titullin “Jo në emrin tim”, kushtuar luftës, çlirimtarëve dhe Kosovës.

    Në vargjet e publikuara, Shaqiri shpreh përkrahjen e tij ndaj UÇK’së, dhe luftetarëve.

    “Me gënjeshtra e sajime e njollosin luftën time”, shkruan ndër të tjera Shaqiri në postimin e tij.

    Postimi:

    JO NË EMRIN TIM

    Me të drejtë pyes botën sytë ku i ka?

    I shpërblen armiqtë që na kanë vra

    Me gënjeshtra e sajime

    E njollosin luftën time

    Vështirë e kanë mes ballit me na pa,

    Këto tri shkronja tona t’shenjta

    Nëpër breza rrojnë te zemra

    Gjersa dielli tokës ka me i ra.

    S’ka liri

    S’ka as ditë të mbarë

    Pa u kthy n’atdhe

    Trimat çlirimtarë.

    Padrejtësi

    E gjyqe pambarim

    Kosova po thërret

    Jo në emrin tim.

    Ditë-përditë na e shkelin n’fyt lirinë

    Për shtatë faje që kurrë si kem ba.

    Me gënjeshtra e sajime

    E njollosin luftën time

    Vështirë e kanë mes ballit me na pa.

    Këto tri shkronja tona t’shenjta

    Nëpër breza rrojnë te zemra

    Gjersa dielli tokës ka me i ra…

    S’ka liri

    S’ka as ditë të mbarë

    Pa u kthy n’atdhe

    Trimat çlirimtarë.

    Padrejtësi

    E gjyqe pambarim

    Kosova po thërret

    Jo në emrin tim.

    ISh

    Familjarët e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në shesh për protestën “Jo në emrin tim”

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:50

    Në protestën “Jo në emrin tim”, që po mbahet sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, po marrin pjesë edhe familjarë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në mesin e të pranishmëve janë parë familjarë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Protesta, e organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, ka nisur në orën 16:00 dhe zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”, në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Gazmend Syla solidarizohet me krerët e UÇK: Nga 16 shtatori edhe na jemi anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:44

    Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së, ka folur në protestën e sotme që po zhvillohet kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK’së.

    Syla, është solidarizuar me ish-krerët e UÇK’së duke thënë se nga 16 shtatori edhe luftëtarët e tjerë të UÇK’së janë ‘’anëtarë të NPK’së’’.

    ‘‘Harrove edhe një epitet Berat, na jemi anëtarë edhe të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale prej 16 shtatorit, prej një Gjykate që nuk din ça ka ndodh në vitet 98/99 këtu, turpi i mbuloftë kudo që janë ata’’, ka thënë ai mes tjerash, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Dënimi i 4 krerëve të UÇK’së nga Gjykata Speciale, e cila është e gjithkujt përpos e Kosovës, është vetëm vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare. Dënimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit, Mustafës e Shalës, e çon numri e viteve me të cilat është dënuar lufta jonë në 627 vjet burg’’, ka shtuar ai.

    Tasholli para protestuesve: Jemi mbledhur për UÇK-në – liria nuk ka parti politike

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:32

    Përfaqësuesi i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka mbajtur fjalim para protestuesve të mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Tasholli tha se qytetarët janë mbledhur për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm, sepse siç u shpreh ajo, liria nuk ka parti politike.

    “Jemi mbledhur këtu me një sebep të madh, jemi mbledhur këtu për UÇK-në. Jemi bërë bashkë për të çuar një mesazh shumë të rëndësishëm”.

    “Nuk jemi bërë bashkë për shkak të partive politike, sot jemi bërë bashkë për ju, sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, tha Tasholli.

    Çitaku nga protesta: Është beteja më e rëndësishme për Kosovën, për shqiptarët dhe historinë

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:28

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i është bashkuar qytetarëve në protestën e organizuar nga “Liria Ka Emër” në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Çitaku tha se kjo betejë është beteja më e rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët.

    “Është beteja më e rëndësishme për Kosovën, për shqiptarët dhe historinë”, tha ajo.

    Nis protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Reporteri
    01 Tetor 2026 | 16:22

    Protesta kundër Gjykatës Speciale ka nisur.

    Shqiptarët kanë mbushur sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë në mbrojtje të çlirimtarëve.

    Protesta është thirru r nga “Liria Ka Emër” në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!