Bordi i RTK-së ka vendosur që Rilind Gërvalla të jetë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i RTK-së, ndërsa Arta Avdiu është emëruar drejtoreshë e RTK1.
Vendimi është marrë nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në mbledhjen e sotme.
Me vendimin e ri, Gërvalla kalon në pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, ndërsa Avdiu do të drejtojë televizionin RTK1.
Gërvalla ka mbajtur më herët pozitën e drejtorit të kanaleve televizive të RTK-së.
Të dy emërimet vijnë pas konkursit të hapur nga Radio Televizioni i Kosovës për katër pozita të larta drejtuese, përfshirë dy pozita të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorin e Televizionit dhe drejtorin e Radios.
Konkursi ishte hapur më 18 gusht dhe ishte mbyllur më 2 shtator 2026.
Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar më 6 shtator për mospërputhje të mundshme mes kushteve të konkursit dhe Rregullores Nr. 0022/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK.
Në atë raportim ishte ngritur çështja e kriterit që kërkon që kandidatët për pozita të larta drejtuese të dëshmojnë se ndaj tyre nuk janë duke u zhvilluar hetime penale në kohën e aplikimit.
Ky kriter, sipas raportimit të 6 shtatorit, nuk ishte përfshirë në konkursin e shpallur më 18 gusht, i cili kërkonte dëshmi se kandidati nuk ishte i dënuar me vendim të formës së prerë.
Në konkurs, vetë Bordi i RTK-së kishte theksuar se procedurat, kriteret dhe mënyra e zhvillimit të procesit të përzgjedhjes dhe emërimit, përfshirë shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin me pikë, votimin nga Bordi dhe nxjerrjen e vendimeve përfundimtare, përcaktohen nga Rregullorja Nr. 0022/24.
Në raportimin e 6 shtatorit, Reporteri.net kishte kërkuar nga menaxhmenti dhe Bordi aktual i RTK-së sqarime nëse kjo rregullore kishte pësuar ndryshime para shpalljes së konkursit, por deri në publikimin e artikullit nuk kishte marrë përgjigje.