Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës në postin e Presidentes së Kosovës ka sjellë reagime të shumta nga figura publike, krahas urimeve për marrjen e detyrës së re.

Mes tyre ka reaguar edhe këngëtarja Arta Bajrami, e cila përmes një postimi në Instagram Story ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës, duke kërkuar që çështja e fëmijëve me nevoja të veçanta, veçanërisht atyre me autizëm, të trajtohet me prioritet.

“Tash që Kosova ka Presidenten dhe institucionet po funksionalizohen, kërkesa jonë është e qartë: Projektligji për fëmijët me nevoja të veçanta (autizmin) të jetë menjëherë ndër pikat e para të rendit të ditës në Kuvend.

Reklamë

Fëmijët nuk presin”, ka shkruar Bajrami.

Përmes këtij mesazhi, këngëtarja ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për forcimin e mbështetjes ndaj fëmijëve me autizëm dhe familjeve të tyre.

Thirrja e saj lidhet edhe me përvojën personale, pasi Bajrami është nënë e dy fëmijëve me autizëm dhe ka folur edhe më herët publikisht për sfidat me të cilat përballen familjet që kanë nevojë për mbështetje më të madhe institucionale.

Tashmë mbetet të shihet nëse kërkesa e saj do të reflektohet në agjendën e Kuvendit dhe nëse çështja e fëmijëve me nevoja të veçanta do të jetë ndër prioritetet e para të institucioneve të reja.

Reklamë