Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza të reja ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, duke i akuzuar për komplot për kryerjen e torturës.

Akuzat, të bëra publike të enjten, i shtohen atyre për trafik droge dhe armësh, të cilat çifti i ka mohuar. Maduro, 63 vjeç, dhe Flores, 69 vjeç, ndodhen në një qendër paraburgimi në Brooklyn që prej janarit, pas kapjes së tyre nga forcat amerikane në Caracas.

Sipas aktakuzës së re, gjatë periudhës së Maduro-s në pushtet, sistemi represiv në Venezuelë përfshinte ndalime arbitrare, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe torturimin e të burgosurve, përfshirë shtetas amerikanë.

Reklamë

Prokurorët përmendin metoda të tilla si goditjet elektrike, mbytja, përdhunimi, izolimi i zgjatur, privimi nga ushqimi dhe tortura psikologjike. Sipas tyre, Flores kishte luajtur një rol të rëndësishëm në këtë sistem dhe kishte marrë informacione mbi torturimin e të burgosurve.

Akuzat përkojnë me dëshmi të dhëna prej vitesh nga ish-të burgosur venezuelianë dhe organizata të të drejtave të njeriut.

Javier Tarazona, drejtues i një organizate për të drejtat e njeriut në Venezuelë, tha për BBC Mundo-s në fillim të këtij viti se ai dhe vëllai i tij u mbajtën për 46 ditë në një qeli të vogël ndëshkimi, pasi u arrestuan në mënyrë arbitrare.

Një tjetër ish-i burgosur, Ángel Godoy, tha për BBC Mundo se ishte mbajtur në izolim për muaj të tërë dhe nuk ishte lejuar të kontaktonte me bashkëshorten e tij, e cila nga ana e saj nuk kishte informacion për vendndodhjen e tij.

Gjyqi ndaj Maduro-s dhe Flores pritet të nisë në qershor 2027. Ndërkohë, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka deklaruar se ka marrë raportime për vazhdimin e torturave ndaj të ndaluarve edhe pas largimit të Maduro-s nga pushteti. /Panorama

Reklamë