Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini i ka dërguar mesazh kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe qeverisë.

Fillimisht ai uroi Justina Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës si Presidente e Kosovës.

Tutje, ai tha se koha e bllokadave ka mbaruar dhe se përgjegjësia është e Vetëvendosjes.

Reklamë

“Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren. Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis.”, tha Gjini.

Postimi i plotë:

Kosova më në fund ka përmbyllur ciklin e konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund bllokadave të panevojshme politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme të shkaktuara artificialisht, që e mbanin peng vendin. Ky është një lajm i mirë për stabilitetin dhe për qytetarët tanë.

Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!

Sot, bashkë me të gjithë kolegët e mi në Aleancë, para votuesve tanë dhe qytetarëve të Kosovës, jemi me kokën lartë. Aleanca nuk ka hyrë në lojërat e diktuara për pushtet e as në kalkulimet e minutës së fundit. Ne kemi qenë të parët që kemi dalë me ofertë të qartë dhe të sinqertë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse e kemi ditur që Kosova nuk ka nevojë të zvarritet e të shkojë sërish në zgjedhje.

Reklamë

Oferta jonë pa asnjë kusht, ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët, njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund.

Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren.

Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti.

Nuk ka më hapësirë për arsyetime!

Reklamë