Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka renditur tetë sfidat kryesore me të cilat, sipas tij, do të përballet presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Hoti ka vlerësuar se, ndonëse janë shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, Kosova përballet me zhvillime të rëndësishme politike dhe institucionale, ku roli dhe angazhimi i presidentes do të jenë përcaktues.
Hoti ka theksuar se ndër tetë sfidat kryesore janë procesi në Dhomat e Specializuara në Hagë, ngecja e njohjeve dhe anëtarësimeve ndërkombëtare, si dhe nevoja për përmirësimin e raporteve me aleatët kryesorë të Kosovës.
Ai ka veçuar veçanërisht marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se Kosova e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në dhe se Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020 është neglizhuar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Hotit, rinisja e dialogut strategjik dhe rikthimi te Marrëveshja e Uashingtonit janë hapa të domosdoshëm për rivendosjen e partneritetit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Një tjetër sfidë, sipas tij, është procesi i integrimit evropian, i cili, siç ka thënë ai, po pengohet nga kushtëzimet që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut me Serbinë, ndërsa zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) nuk po merr vëmendjen e duhur.
Hoti ka kritikuar edhe drejtimin e dialogut me Serbinë, duke pretenduar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka neglizhuar parimet e dakorduara ndërkombëtarisht në vitin 2020, përfshirë synimin për një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke.
Në listën e sfidave të presidentes së re, deputeti i LDK-së ka përfshirë edhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe profesionalizimin e shërbimit diplomatik.
Ai ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm politik në organet e drejtësisë dhe ka kritikuar veprimet e shumicës qeverisëse, të cilat, sipas tij, kanë sfiduar rendin kushtetues, veçanërisht gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Sa i përket diplomacisë, Hoti ka vlerësuar se Kosova nuk ka shënuar arritje të rëndësishme diplomatike ndër vite, duke kritikuar emërimet joprofesionale, mungesën e objektivave të qarta dhe dështimin në diplomacinë ekonomike e kulturore.