Ministrja e Kulturës dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se trashëgimia kulturore e Kosovës është pasuruar me 13 asete të reja, të cilat janë futur në listën e mbrojtjes së përkohshme.
Në mesin e këtyre aseteve është edhe kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë.
“Në mesin e tyre janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec, Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit, shtëpia muze e Latif Berishës në Mitrovicë të Veriut dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, më 11 shtator 2026, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës publike në lokacionin e njohur si Tulltorja.
Dhënia në shfrytëzim e Tulltores është miratuar në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku diskutimet për këtë pikë u shoqëruan me tensione mes asamblistëve të LVV-së dhe ekzekutivit.
Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të pronës, e cila, sipas diskutimeve në seancë, parashihej t’i jepej një investitori privat për 50 vjet.
Në momentin kur kryetari Përparim Rama mori fjalën për këtë propozim, asamblistët e LVV-së shfaqën pranga në sallë dhe shkaktuan zhurmë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit.
Më pas, ata u ranë tavolinave, ndërsa asamblistët Gëzim Sveçla dhe Çlirim Gërbeshi vazhdimisht i drejtoheshin Ramës me fjalën “rrenc”, derisa ai po deklarohej në foltoren e Kuvendit.
Rama, në anën tjetër, kishte thënë se prona nuk po shitej apo falej, por po jepej në shfrytëzim dhe se nga kjo marrëveshje Komuna do të përfitonte financiarisht.
“Kjo tokë nuk falet, toka mbetet pronë e kryeqytetit, jepet në shfrytëzim dhe për këtë shfrytëzim, kryeqyteti përfiton 1 milion euro çdo vit, 50 vjet, mbi 50 milionë. Dhe pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të mbetet i kryeqytetit, prandaj mos i dezinformoni qytetarët” – kishte deklaruar Rama.
Fabrika “IMN Kosova” shërbente për prodhimin e tullave. Deri në kohën e luftës, në këtë fabrikë punohej 24 orë në ditë, ndërsa për një kohë të gjatë ajo nuk ka qenë funksionale.
Prona ishte blerë nga Komuna e Prishtinës pas një procesi që lidhej me ndërmarrjen shoqërore të menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte deklaruar më herët se Komuna e kishte blerë këtë hapësirë me synim ruajtjen e trashëgimisë industriale të qytetit.
Nga ana tjetër, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konstatuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale në lokacionin Tulltorja është në kundërshtim me ligjin.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me legjislacionin në fugi” – thuhet ndër të tjera në vendimin e Ministrisë.
Ndërsa, një nga arsyet e dhëna për kundërshtim të këtij vendimi nga MAPL lidhet me mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim.Ministria i referohet disa neneve të Rregullores për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Sipas MAPL-së, kjo dispozitë përcakton rastet në të cilat kryetari i komunës mund ta shfrytëzojë të drejtën e negocimit, në varësi të vlerës së investimit dhe sektorit ku bëhet investimi.