Komuna e Pejës, e cila drejtohet nga Gazmend Muhaxheri, ka hapur një tender në vlerë të parashikuar prej 2,734,761.60 eurosh për ndërtimin e rrugëve në disa fshatra dhe lagje të kësaj komune, duke vendosur shumë kritere teknike dhe profesionale që ngrenë dyshime për kufizimin e konkurrencës dhe favorizimin e Operatorëve të caktuar Ekonomikë.
Në dosjen e tenderit të publikuar më 8 tetor 2026, kërkohen ekskavatorë me peshë minimale 62 tonë, gjysmërimorkio për bartjen e automjeteve të rënda deri në 90 tonë, ngarkues me pirun prej 33 tonësh, makineri me sisteme të avancuara GPS dhe laser, si dhe një numër i madh pajisjesh të tjera me parametra të përcaktuar në mënyrë specifike.
Aktiviteti i prokurimit me numër 635-26-8707-5-1-1, i titulluar “Ndërtimi i rrugëve në fshatrat e Lugut të Baranit, Leshanit, Trestenikut dhe Radac-Podgur në Komunën e Pejës”, është ndarë në 11 lote, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 18 nëntori 2026. Sipas dosjes, operatorët ekonomikë mund të konkurrojnë në disa lote, por një kompani mund të shpërblehet me kontratë vetëm për një lot, raporton portali Front Online.
Për rrugë fshatrash, Peja kërkon ekskavatorë 62 tonë dhe ngarkues 33 tonë
Një nga kërkesat më të pazakonshme është vendosur në Lotin 10, që parasheh ndërtimin e rrugëve në fshatin Vitomiricë, me vlerë të parashikuar prej 234,769 eurosh, dhe në Lotin 11, për ndërtimin e rrugëve në fshatrat Dubovë dhe Zllapek, në vlerë prej 236,601.50 eurosh. Në të dyja lotet, Komuna e Pejës ka kërkuar që operatorët ekonomikë të disponojnë ekskavator me zinxhir dhe riper, me peshë minimale prej 62 tonësh. Përveç kësaj makinerie, kompanitë duhet të kenë edhe ngarkues me pirun me peshë minimale prej 33 tonësh, dy cilindra për ngjeshjen e rrugëve me peshë mbi 26 tonë secili, grejder me GPS dhe kapacitet 9 deri në 10 tonë, si dhe një varg pajisjesh të tjera.
Vetëm për secilin prej këtyre dy loteve janë përcaktuar 26 pozicione të ndryshme të mekanizimit dhe pajisjeve, përfshirë kamionë, ekskavatorë, cilindra, ngarkues dhe makineri të tjera ndërtimore.
Dosja nuk përmban, në pjesët e analizuara nga Front Online, ndonjë arsyetim të veçantë teknik që shpjegon përse për ndërtimin e këtyre rrugëve kërkohet ekskavator me peshë minimale 62 tonë apo ngarkues me pirun prej 33 tonësh. Këto kërkesa ngrenë pikëpyetje nëse makineritë e përcaktuara janë të domosdoshme për realizimin e punimeve apo nëse karakteristikat e tyre mund të kufizojnë pjesëmarrjen e kompanive të tjera që posedojnë makineri me kapacitete të ndryshme.
Për dy lote kërkohet gjysmërimorkio deri në 90 tonë
Kërkesa të tjera që ngrenë dyshime janë vendosur në Lotin 7, me vlerë të parashikuar prej 285,226.50 eurosh, dhe në Lotin 8, me vlerë prej 235,759.50 eurosh. Për ndërtimin e rrugëve në këto fshatra, Komuna e Pejës kërkon gjysmërimorkio për bartjen e automjeteve të rënda, me peshë të përcaktuar nga 75 deri në 90 tonë. Në të njëjtat lote kërkohen edhe pesë ekskavatorë me peshë minimale 20 tonë, një ekskavator me çekan hidraulik prej 35 deri në 40 tonësh, kamion kiper me peshë minimale 40 tonë dhe një tjetër minimum 30 tonë.
Lista përfshin edhe dy gjysmërimorkio speciale me sinjalizim digjital për menaxhimin e trafikut, dy makineri për asfaltimin e rrugëve, si dhe grejderë me sisteme laserike. Ajo që bie në sy është se të dyja lotet kanë listë identike të mekanizimit të kërkuar, pavarësisht se kanë vlera dhe lokacione të ndryshme të realizimit. Në dosje nuk jepet arsyetim i veçantë për domosdoshmërinë e një gjysmërimorkioje me parametrat 75–90 tonë për këto projekte.
Ekskavatorë me kamera 360 gradë dhe laser në tenderin 250 mijë euro
Kritere të tjera specifike janë vendosur edhe në Lotin 5, që përfshin ndërtimin e rrugëve në Leshan, Jabllanicë të Leshanit dhe Rosujë, me vlerë të parashikuar prej 250,441.30 eurosh. Për këtë lot, Komuna e Pejës kërkon një ekskavator me sistem kontrolli të lugës 360 gradë dhe krah laserik, me peshë mbi 37 tonë. Po ashtu, kërkohet një ekskavator tjetër me kamerë 360 gradë dhe krah laserik, me peshë mbi 24 tonë.
Në listën e pajisjeve figuron edhe një makineri për shtrimin e asfaltit me sistem GPS dhe laser, me peshë mbi 17 tonë, si dhe buldozer me sistem kontrolli gjeodezik GPS, me peshë mbi 19 tonë. Përcaktimi i këtyre karakteristikave teknologjike, krahas tonazheve të caktuara, ngre pikëpyetje nëse të njëjtat punime mund të realizohen edhe me pajisje të tjera që ofrojnë performancë të barasvlershme.
Gjenerator 375 kW dhe makineri termoplastike 4 tonë
Në Lotin 4, me vlerë të parashikuar prej 266,656.70 eurosh, që përfshin ndërtimin e rrugëve në Ramun, Zahaq, Llabjan, Qyshk dhe Pavlan, janë vendosur gjithashtu një sërë kërkesash për mekanizim të specializuar. Komuna kërkon gjenerator elektrik me fuqi mbi 375 kW dhe peshë minimale 4 tonë, buldozer me sistem GPS dhe laser, si dhe makineri për shënjimin horizontal të rrugëve me material termoplastik, me peshë minimale prej 4,000 kilogramësh.
Në këtë lot kërkohet edhe një aparat special me GPS për matjen e reflektivitetit në rrugë, krahas dy ekskavatorëve minimum 39 tonë. Përveç pajisjeve, operatorëve ekonomikë u kërkohet të posedojnë edhe certifikatat ISO 9001:2015, ISO 39001:2012 dhe PAS 99:2012. Kriteret e këtij loti dallojnë nga një pjesë e loteve të tjera, megjithëse objekt i kontratës mbetet ndërtimi i rrugëve.
Kritere të ndryshme për inxhinierët dhe certifikatat
Nga analiza e dosjes rezulton se Komuna e Pejës ka vendosur kërkesa të ndryshme edhe për stafin profesional që duhet të angazhohet në realizimin e punimeve. Në Lotin 6 kërkohet menaxher projekti me minimum tetë vite përvojë pas diplomimit në ndërtimin e rrugëve, ndërsa në Lotet 7 dhe 8 kërkohet përvojë prej tri ose pesë vitesh, varësisht nga niveli i kualifikimit. Ndërkohë, për Lotet 10 dhe 11 kërkohet edhe inxhinier i menaxhimit të emergjencave, i certifikuar për siguri dhe shëndet në punë, si dhe për mbrojtje nga zjarri.
Në këto dy lote kërkohet gjithashtu inxhinier i mjedisit me të paktën pesë vite përvojë pune dhe certifikime të veçanta. Dosja përmban edhe pasaktësi në kërkesat për certifikim. Në Lotet 6, 10 dhe 11 figuron standardi ISO 45001:2015, ndonëse standardi ISO 45001 për sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë është publikuar në vitin 2018.
Një kompani mund të fitojë vetëm një lot
Një tjetër kusht i vendosur nga Komuna e Pejës përcakton se operatorët ekonomikë mund të dorëzojnë oferta për të gjitha lotet, por mund të shpërblehen me kontratë vetëm për një prej tyre.
Sipas dosjes, nëse një kompani ofron çmimin më të ulët në më shumë se një lot, ajo do të shpërblehet me lotin që konsiderohet më i favorshëm për autoritetin kontraktues.
Po ashtu, dokumenti përcakton se nëse një operator ofertojnë në më shumë se një lot, duhet të përmbushë kriteret e lotit më të madh.
Tenderi vazhdon të jetë në fazën e pranimit të ofertave, me afat deri më 18 nëntor 2026.