Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë cilësuar të papërshtatshme pjesëmarrjen në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, lidhur me konstatimet dhe rekomandimet e tij për këtë institucion dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një komunikatë, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se refuzimi i ftesës mbështetet në kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar.
Sipas tyre, neni 162, paragrafi 11, i Kushtetutës dhe neni 34, paragrafi 9, i ligjit përkatës i japin Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, përgjegjësi ekskluzive për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me këtë institucion dhe zyrën e prokurorit të specializuar.
Dhomat kanë theksuar se mungesa e kompetencës së Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, në raport me Dhomat e Specializuara i është komunikuar atij edhe më herët, duke iu referuar një deklarate të mëparshme të institucionit.
Në komunikatë, Dhomat e Specializuara kanë përmendur gjithashtu rolin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili, sipas tyre, mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit për të garantuar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara kanë rikujtuar se vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e gjyqtarëve të tyre të pavarur dhe të paanshëm nxirren në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut.
Sipas komunikatës, palët që nuk janë pajtuar me vendimet gjyqësore kanë pasur në dispozicion mjete juridike për t’i kundërshtuar ato, përfshirë ankesat para panelit të Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.
“DHSK-ja vazhdon të përqendrohet në mandatin e saj për të garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të mishëruara në Kushtetutën dhe për të mundësuar procese penale të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase”.