Policia e Shtetit në Shqipëri u ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin aktet e dhunës, duke paralajmëruar se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përballet me përgjegjësi penale.

Në një komunikatë publike, Policia ka kërkuar nga pjesëmarrësit në tubim që të distancohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas saj, po sulmojnë zyrtarët policorë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.

Policia ka theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por ka vlerësuar se dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.

Reklamë

“Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit”, thuhet në komunikatë.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin, me profesionalizëm dhe vendosmëri, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën, pronën dhe institucionet.

“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, përfundon apeli i Policisë së Shtetit.