Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti në takim një delegacion të strehimoreve të Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula vlerësoi punën dhe përkushtimin e përfaqësueseve të strehimoreve, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në mbrojtjen e grave, garantimin e sigurisë së tyre dhe mbështetjen për riintegrim në shoqëri.
“Ajo theksoi se mbrojtja e grave nga dhuna dhe garantimi i dinjitetit të tyre janë përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, duke nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me dhunën apo vështirësitë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu interesimin për sfidat dhe nevojat konkrete me të cilat përballen strehimoret, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit me institucionet, në mënyrë që shërbimet për gratë që përballen me dhunë të jenë të qëndrueshme, të qasshme dhe efektive.
Presidentja theksoi “gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me përfaqësueset e strehimoreve dhe për shqyrtimin e mundësive për mbështetjen e punës së tyre, si dhe për adresimin e çështjeve që kërkojnë vëmendje institucionale”, përfundon njoftimi.