Protestuesit në Tiranë po vazhdojnë të përparojnë. Protestuesit kanë thyer edhe xhamat e Komisariatit Numër 2 të Policisë së Shqipërisë. Kanë hedhur edhe molotov.
Ka pasur edhe përplasje mes protestuesve dhe policëve te Komisariati. Ka pasur edhe arrestime
Gjatë protestës i është vënë zjarr dhe janë demoluar disa institucione shtetërore, por po ashtu edhe biznese private. Iu vu zjarr edhe një objekti në ndërtim. Zjarri i ishte vënë Ministrisë së Drejtësisë, të Arsimit, Kuvendit. E po ashtu edhe disa institucioneve tjera.
Ndërkohë, Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se 14 punonjës të saj janë lënduar si pasojë e sulmeve gjatë protestës në Tiranë sot, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 35 persona.
Në një njoftim, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga dhuna dhe të ndalojnë sulmet ndaj zyrtarëve policorë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
“Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre”, thuhet në thirrjen e Policisë së Shtetit.
Policia ka theksuar se ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk nënkupton të drejtën për të ushtruar dhunë, për të sulmuar zyrtarët policorë apo për të dëmtuar pronën publike dhe private.
Sipas njoftimit, shërbimet policore po vazhdojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që dyshohen për përfshirje në akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit.
Policia ka paralajmëruar se personat përgjegjës për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin, duke kërkuar që të ndalen menjëherë sulmet dhe të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e punonjësve policorë.
Ndërkohë sipas autoriteteve shëndetësore, dy protestues po trajtohen në spital.
Sipas përditësimit të orës 20:05 nga Spitali Universitar i Traumës (SUT), dy protestuesit ndodhen ende në spital, janë të vetëdijshëm dhe kanë gjendje shëndetësore stabile, ashtu si edhe policët.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar pasi protestuesit kanë hyrë në objektin e Kuvendit dhe i kanë vënë zjarrin.
Peleshi në postim në Facebook ka thënë se “vandalizmi s’ka lidhje me studentët dhe protestën demokratike”.
Peleshi u ka bërë thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrja për dhunë.
“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme. Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë. U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Agjenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, ka shkruar Peleshi.
Paraprakisht, protestuesit kanë depërtuar në objektin e Kryesisë së Kuvendit, ku kanë marrë dokumente e kanë hedhur jashtë dhe i kanë vënë zjarrin mjediseve të Kryesisë së Kuvendit.
