Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, do të përfshihet në Buxhetin e vitit 2027.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në Kuvend, pasi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e pyeti se çfarë strategjie do të ndjekë Qeveria për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.
Musliu-Shoshi kërkoi sqarime edhe për ndarjen e një buxheti të veçantë për zbatimin e kësaj strategjie, angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe masat konkrete në mbështetje të avokatëve mbrojtës.

Në përgjigjen e tij, Kurti tha se Grupi Punues i formuar për këtë çështje do të ketë përgjegjësinë për hartimin e masave dhe mekanizmave të nevojshëm, si dhe për përcaktimin e kostos financiare.

Reklamë

Ai theksoi se fillimisht duhet të hartohet strategjia dhe më pas të përcaktohen shpenzimet për zbatimin e saj.

“Ne kemi afatin deri më 31 tetor që ta votojmë Buxhetin 2027. Natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe çështjen e mbështetjes financiare të katërshes”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se Qeveria duhet t’i lërë Grupit Punues hapësirën për ta kryer punën dhe për të paraqitur rezultatet, duke theksuar se ai nuk mund të paragjykojë përmbajtjen e strategjisë që do të hartohet.

Sipas tij, Grupi Punues është gjithëpërfshirës dhe do të ketë përfaqësues nga secili grup parlamentar, me synimin që strategjia të jetë shtetërore dhe veprimet e parapara të mbështeten financiarisht.

Para kësaj deklarate, Kurti përsëriti qëndrimin se padrejtësia në Hagë “duhet të korrigjohet”.

Reklamë