Arsene Wenger mund të jetë kandidati surprizë për ta sfiduar Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s, sipas një raportimi të BBC Sport.

Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, i cili që nga viti 2019 është drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA, po përmendet nga disa figura të futbollit evropian si kandidat që mund të bashkojë kundërshtarët e Infantinos.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë shenjë se 76-vjeçari po përgatit kandidaturën e tij.

Reklamë

Kur BBC Sport e pyeti FIFA-n për synimet e Wengerit, nuk mori ndonjë koment.

Alex Phillips, ish-zyrtar i UEFA-s dhe FIFA-s, beson se Wenger mund të sjellë një qasje tjetër në drejtimin e organizatës.

“Është bërë shumë e përqendruar te paratë dhe jo mjaftueshëm te futbolli. Mendoj se dikush si ai do ta rikthente futbollin si prioritet kryesor”, deklaroi Phillips për BBC Sport.

Wengeri ka fituar mbështetje edhe për shkak të përvojës së tij ndërkombëtare dhe angazhimit në zhvillimin e futbollit, përfshirë programet për të rinjtë në dhjetëra shtete.

Sipas BBC-së, Infantino shihet si favorit për rizgjedhje, falë mbështetjes së madhe që gëzon në Afrikë, Amerikën e Jugut dhe Oqeani.

Reklamë

Deri tani, i vetmi që ka shpallur synimin për të kandiduar është ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Ramon Vega.

Wenger, nëse vendos të hyjë në garë, duhet ta deklarojë kandidaturën deri më 18 nëntor dhe të nominohet nga të paktën pesë federata kombëtare.

Zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin një përballje të papritur në FIFA, por për momentin kandidatura e Wengerit mbetet vetëm një mundësi e përfolur, jo një vendim i konfirmuar.