Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës Fasli Rama është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai është dërguar me urgjencë drejt Tiranës për shkak se rrezikon jetën duke qenë se ka një plagë të rëndë në kokë.
Komandanti u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara policisë vendore të Shkodrës.
Gjatë një përleshje me efektivët, punonjësi i policisë Fasli Rama mori goditje të fortë në kokë duke qenë në gjendje të rëndë për jetën.
Për të tretën ditë me radhë po vazhdojnë protestat në Tiranë e disa qytete të tjera të Shqipërisë, të shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe Policisë së Shtetit.
Gjatë tubimeve protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe sende të forta drejt institucioneve, ndërsa në disa zona pati zjarrvënie dhe dëme materiale. Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës.
Protestat lidhen me kërkesat për përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të studimeve dhe rritjen e mbështetjes financiare për studentët, ndërsa pakënaqësitë janë shtrirë edhe te qeverisja dhe akuzat për korrupsion.
Ndërkohë, edhe sot, më 15 tetor, në Tiranë po vazhdojnë protestat me tensione dhe përplasje.