320 persona janë lënduar gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri në periudhën 13–21 tetor, mes tyre 192 policë, 92 protestues dhe 36 kalimtarë.
Bilanci është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat shëndetësore në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Në mesin e kalimtarëve të lënduar janë edhe gjashtë përfaqësues të mediave, njëri prej të cilëve shtetas i huaj.
Vetëm gjatë protestës së djeshme, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) kanë marrë trajtim tetë persona.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjashtë të lënduar: një efektiv policie, një protestues dhe katër kalimtarë. Tre nga kalimtarët janë shtruar për trajtim të mëtejshëm, ndërsa njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila, sipas ministrisë, ka përfunduar me sukses. Gjendja e pacientit është raportuar e mirë.
Aktualisht, në këtë spital janë të shtruar nëntë persona të lënduar gjatë protestave: katër protestues, një efektiv policie, një përfaqësuese e medias dhe tre kalimtarë.
Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur dy persona, një efektiv policie dhe një protestues. Të dy kanë marrë trajtimin mjekësor dhe janë larguar nga spitali po atë ditë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të dhënat për të lënduarit janë administruar nga Spitali Universitar i Traumës, QSUT-ja dhe spitalet rajonale në Durrës, Vlorë e Lezhë.