Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si ofendim të radhës për Kosovën mundësinë e kthimit prapa të ligjit për Gjykatën Speciale, ndonëse ka thënë se nuk kanë informacione se një gjë e tillë do të ndodhë.
Haradinaj ka kritikuar mungesën e komunikimit dhe të dialogut strategjik të Kosovës, si dhe ngecjen në proceset integruese, duke i cilësuar këto zhvillime si rrezik për vendin.
“Kjo po e shpjegon edhe atë se çka po ndodh Kosovës, po edhe te ligji, është një sinkronizim me lëshua Kosovën më poshtë sesa që është. Edhe mungesa e komunikimit, mungesa e dialogut strategjik, mungesa e përparimit në proces për anëtarësim Këshillën të Evropës, qoftë në BE, por në NATO, gjitha këto janë rrezik për Kosovën”, tha ai.
Duke folur për mundësinë e kthimit të ligjit, Haradinaj ka shprehur pakënaqësi për atë që e ka cilësuar si tallje me Kosovën, Kuvendin dhe qytetarët, pas përpjekjeve dhe përplasjeve që e kanë shoqëruar miratimin e tij.
“Po edhe loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë. Pse duhet me na ndodh kjo? Pra, pas gjithë atyre përpjekjeve, përplasjeve, vërtet është një ofendim i radhës kthimi i ligjit prapa. Nuk e kuptoj prapë pse duhet me ja bë Kosovës, vendit, pse duhet me kaluar tema të tjera, pse duhet ende me vazhduar kjo tallje me ne, me parlamentin, me qytetarë”, theksoi Haradinaj.
Ai ka rikujtuar se ligji është votuar nga më shumë se dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Haradinaj ka thënë se, përkundër mungesës së informatave për kthimin e tij, çdo përpjekje e tillë do të ishte e papranueshme.
“Ligji tani është i Kosovës, e kanë votuar mbi dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Nuk kemi ndonjë informatë që kthehet ligji prapa. Unë mendoj se kjo është një lojë e ndytë. Nga kushdo që e bën këtë lojë, është një lojë e ndytë edhe është turp për ata që janë përfshirë në këtë lojë, kush do qofshin. Për shkak se koha po ecë, sikurse e dini, proceset rreth hapelimit vazhdojnë me shpejtësinë e vet”, tha Haradinaj.